Flash News

Ditari i Maxhorancës

A ka PS një emër për president nëse shkarkohet Meta? Si përgjigjet Balla

A ka PS një emër për president nëse shkarkohet Meta? Si

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla u pyet nga gazetarët nëse Partia Socialiste e ka një emër për presidentin e ri të vendit. Kujtojmë që më 18 janar, Gjykata Kushtetuese do të vendosë për "fatin" e presidentit Ilir Meta.

Balla nuk dha një emër konkret, por tha se PS do të respektojë çdo vendim që do të marrë Gjykata Kushtetuese. Gjithashtu theksoi se Meta ka shkelur Kushtetutën.

Sa i përket përfundimit të mandatit 5-vjeçar të Metës në korrik të 2022-shit, Balla tha se në fund të muajit prill, Kuvendi hyn në afatet për procesin e zgjedhjes së presidentit. Ai nënvizoi se nëse "Kushtetuesja" vendos për shkarkimin e Metës, ai tha se do të zëvendësohet sipas parasjikimeve ligjore.

“Ne kemi thënë që ditën e parë, që ne do të respektojmë çdo vendim që do të marrë Gjykata Kushtetuese. Ajo që Grupi i PS ka vendosur si standard është se vendimet e gjykatës nuk komentohen, por vetëm zbatohen. Ne do mirëpresim çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk do të bëjmë asnjë koment, derisa gjykata të shprehet për këtë çështje. Qëndrimi ynë ka qenë shumë i qartë që presidenti Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën.

Tani nuk mund të japim komente shtesë, se kjo nuk i bën mirë marrëdhënieve ndërinstitucionale. Çdo shprehje e jona do të ishte ndërhyrje në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas afateve kushtetuese duhet të shprehet në fund të janarit deri në mes të shkurtit për këtë rast.

Sa i përket përfundimit të mandatit 5-vjeçar të Metës, në fund të muajit prill Kuvendi hyn në afatet për procesin e zgjedhjes së Presidentit. Nëse do kemi ndërprerje të parakohshme të mandatit të Presidentit me vendim të Gjykatës Kushtetuese, është përcaktuar kush kryen detyrat e presidentit gjatë kohës që vendi ka një president të shkarkuar”, u shpreh Balla.

Të fundit