Flash News

Ditari i Maxhorancës

Apeli lë në burg Armando Ndrecën, vëllain e deputetit socialist

Apeli lë në burg Armando Ndrecën, vëllain e deputetit

Gjykata e Posaçme e Apelit ka refuzuar kërkesën për zbutjen e masës së sigurisë ndaj Armando Ndrecës, vëllait të deputetit socialist Eduart Ndreca, duke e lënë atë në burg.

Armando Ndreca u arrestua disa muaj më parë me urdhër të SPAK-ut, në kuadër të operacionit "Revanshi", i cili synonte goditjen e grupeve kriminale të përfshira në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

SPAK e akuzon Armando Ndrecën për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal që merrej me prodhimin dhe shitjen e narkotikëve. Këto akuza u ngritën pas dekriptimit të bisedave në aplikacionin e koduar "Sky ECC", të cilat zbuluan aktivitetet e paligjshme të grupit.

Para arrestimit nga SPAK, rreth një muaj më parë, Armando Ndreca ishte arrestuar nga Policia e Lezhës, pasi u zbulua një serë me kanabis në zonën e Kashnjetit. Megjithatë, ai u lirua pas dy ditësh nga Gjykata e Lezhës.

Në të njëjtën dosje hetimore janë përfshirë edhe ish-deputeti Arben Ndoka dhe nipi i tij, Samuel Ndoka, të cilët akuzohen për veprimtari të ngjashme kriminale.

Operacioni "Revanshi" ka rezultuar në lëshimin e 43 urdhër-arresteve ndaj individëve të dyshuar për përfshirje në aktivitete kriminale, përfshirë figura të njohura të botës së krimit në Shqipëri.

 

Të fundit