Flash News

Ditari i Maxhorancës

"Asnjë përveç meje nuk ka as çerekun e fuqisë", Rama kërkon mandatin e tretë për disa arsye

"Asnjë përveç meje nuk ka as çerekun e
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka folur sërish për madatin e tretë, duke renditur aryet pse PS kërkon që të jetë edhe katër vite të tjera në qeverisje. Ai thotë se "betejat" nuk mund të lihen në mes, ndërsa shton se "përveç meje e Partisë Socialiste nuk ka as çerekun e fuqisë së ambicies, vullnetit, dijes dhe eksperiencës që ne kemi fituar në drejtimin e vendit!"

Përmes një postimi në Facebook, kryeministri thotë se strehimi i të gjithë banorëve të dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019, lufta me Covid-19 dhe vaksinimi i të gjithë popullsisë nuk mund të realizohen nëse nuk është ai në krye të qeverisë.

"Mandatin e Tretë s'do ta kërkoja, po do të kthehesha më në fund në shtëpi për të shlyer borxhet e mëdha që i kam familjes, e sidomos më të voglit nga ne të pestë, nëse nuk do të kishte ende plot gjyshër, prindër e fëmijë që duhen futur të gjithë, deri në fund, në shtëpi e në lagje të reja; nëse nuk do të duhej fituar lufta me Covidin dhe kryer vaksinimi i plotë i njerëzve të këtij vendi, duke kapërcyer një mal me vështirësi", shkruan Rama.

Ky i fundit nënvizon dhe reformën në shëndetësi dhe zhvillimin e ekonomisë. Sipas Ramës, duhet përmbyllur reformimi i këtij sistemi.

"Nëse nuk do të duhej përmbyllur reformimi i shëndetësisë, ku pasi është rimëkëmbur gjerësisht infrastruktura e spitaleve e riorganizuar sistemi shëndetësor, duhet përfunduar kjo rimëkëmbje dhe duhet pastruar organizmi i trupës së bluzave të bardha nga abuzuesit e nga batakçinjtë, që njollosin keq punën e mijëra heronjve; nëse nuk do të duhej forcuar progresiviteti i taksimit në favor të atyre që fitojnë më pak, rritur më tej paga minimale dhe pagat në tërësi, tanimë që bazat e ekonomisë janë forcuar, zhvilluar më në fund infrastruktura portuale e aeroportuale, e cila nuk është më një ëndërr po një betejë e nisur konkretisht", shton kryeministri.

Rama kërkon një mandat të tretë me bindjen se do ta çojë në një nivel tjetër vendin.

Të fundit