Flash News

Ditari i Maxhorancës

Covid-19/ Rama: Po diskutohet shtimi i masave; Manastirliu tregon kriteret që vlerësohen para se të merret vendimi

Covid-19/ Rama: Po diskutohet shtimi i masave; Manastirliu tregon kriteret
Ogerta Manastirliu, Edi Rama

Në konferencën e sotme kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta e Manastirliu paralajmëruan ashpërsimin e masave anti-Covid, ndërsa e lanë në dorë të Komitetit Teknik të Ekspertëve të vendosin për këtë gjë.

Shefi i qeverisë tha se duhet angazhim i gjithsecilit që të shmangen kufizime shtesë.

“Jemi shumë të motivuar të bëjmë çdo gjë si duhet që të mos detyrohemi të kthehemi tek masat e forta kufizuese. Për ketë duhet motivim i gjithsecilit. Ora policore është kufizimi i mundshëm i kontakteve. Një orë më pak është më pak kontakte, nuk është çështja se del natën apo del ditën, kështu që në këtë aspekt është një opsion”, tha Rama.

Ndërkohë ministrja tregoi edhe kriteret që vlerëson Komiteti Teknik i Ekspertëve para se të vendosë për ashpërsimin ose jo të masave anti-Covid.

Manastirliu tha se nuk merret parasysh vetëm numri i infeksioneve, por edhe situata në spitale, duke nënvizuar se janë 550 shtretër të lirë në 4 spitalet covid, por edhe aton ë spitalet rajonale.

Një tjetër kriter që vlerësohet është edhe situata në kujdesin intensiv, theksoi ministrja.

“Sa i përket numrave apo situatës epidemiologjike që do na sillte një vendimamarrje të re sa i përket masave shtesë. Janë disa kritere që vlerësojmë, nuk është vetëm rritja e infektimeve, por edhe situata në spitale, dhe padyshim përqindja e pacientëve në kujdes intensiv.

Kemi situatë të kontrolluar në spitale, përveç 550 shtretërve, janë dhe në spitalet rajone që janë në dispozicion për trajtimin e pacientëve që kanë problematika të rënda. Janë gatishmëri për të ofruar kujdes shëndetësor. Edhe terapive intensive, 32% të kapaciteteve të zëna deri tani”, tha ajo.

Prej disa ditësh në vendin tonë janë regjistruar shifra rekord rastesh që prej fillimit të pandemisë. Në pesë ditët e fundit numri i infeksioneve ka qenë mbi 1 mijë në ditë, ndërsa numrin më të lartë të tyre e ka Tirana.

Të fundit