Flash News

Ditari i Maxhorancës

Dënohet me 1 vit burg kryebashkiaku socialist i Rrogozhinës, Edison Memolla

Dënohet me 1 vit burg kryebashkiaku socialist i Rrogozhinës, Edison

Apeli i GJKKO-së ka konfirmuar, dënimin me 1 vit burg për kryebashkiakun socialist të Rrogozhinës Edison Memolla, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim.

Memolla u shpall fajtor dhe u dënua nga Gjykata e Posaçme me 1 vit burg, vendim të cilin kryebashkiaku socialist e kishte ankimuar në Apel.

Tashmë që Apeli ka konfirmuar dënimin pritet që Prokuroria e Posaçme, SPAK të përgatisë urdhrin e ekzekutimit për të dërguar kryebashkiakun në qeli.

Sakaq, nga ky moment bashkia e Rrogozhinës do të ngelet pa kryetar dhe sipas rregullit duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Po ashtu Memollës do t’i ndalohet ushtrimi i funksioneve publike për 5 vite. Ndërkohë të pandehur bashkë me Memollën ishin edhe Blerim Xhamani, Ndriçim Tafxhama, dhe Isuf Tosku.

Blerim Xhamani, u dënua nga GJKKO gjithashtu me 1 vit burg, pasi në kohën e kryerjes së veprës penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim ka qenë elektriçist pranë FSHU (Furnizuesi i Shërbimit Universal) Durrës, dega Rrogozhinë.

Të njëjtin dënim ka marrë edhe Ndriçim Tafxhama, i cili po ashtu është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale “korrupsion aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim.

I pandehuri tjetër Isuf Tosku është dënuar me 8 muaj burgim për kryerjen e veprës penale “falsifikim i dokumenteve” kryer në bashkëpunim, por GJKKO ka vendosur t’ia pezullojë dënimin me burg në shërbim prove për 1 vit e 4 muaj.

Hetimet për çështjen nisën pas publikimit në media të një audio-përgjimi bërë në prag të zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit 2022. Në material, Memolla dëgjohet duke ndërhyrë tek një elektricist i OSHEE-së për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një familjeje të varfër, me qëllim që tu marrë votën për zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 6 Mars 2022. Hetimet gjithashtu konfirmuan se Edison Memolla premtonte punësime në Bashkinë e Rrogozhinës në këmbim të votave.

Memolla u rizgjodh kryetar i Bashkisë së Rrogozhinës si kandidat i Partisë Socialiste në zgjedhjet e 14 majit 2023. Megjithatë pas ankimeve nga opozita për parregullsi në kutitë e votimit të Burgut të Rrogozhinës zgjedhjet u përsëritën. Memolla i fitoi ato për herë të tretë në korrik 2023. Nëse gjendet fajtor Memolla mund ta humbasë sërish mandatin e kryebashkiakut.

Rolet e Edison Memollës, Blerim Xhamanit, Ndriçim Tafxhafës dhe Isuf Toskut

“Ky procedim penal është regjistruar pas transmetimit në rrjetet televizive të një regjistrimi audio, ku shtetasi Edison Memolla – kandidat për Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, ndikon tek shtetasi Blerim Xhamani–elektriçist pranë FSHU (Furnizuesi i Shërbimit Universal) Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar dhe është  provuar se i pandehuri Edison Memolla, kandidat për Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022, ndikon tek i pandehuri Blerim Xhamani me detyrë elektriçist pranë FSHU Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022, si dhe komunikon me të pandehurin Blerim Xhamani, për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, në këmbim të votës.

I pandehuri Ndriçim Tafxhafa, i ka premtuar një shtetaseje për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, duke i kërkuar të votonte në favor të një kandidati të caktuar në zgjedhjet e pjesshme lokale që do të zhvilloheshin në Rrogozhinë në datë 06.03.2022.

Gjithashtu të pandehurit Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku kanë falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme, pasi nuk ia kanë ndërprerë faktikisht energjinë elektrike abonentit debitor.” – thuhej në njoftimin e SPAK.

Të fundit