Flash News

Ditari i Maxhorancës

Dy bashki të tjera me votim dhe numërim elektronik, qeveria firmos fond shtesë për KQZ

Dy bashki të tjera me votim dhe numërim elektronik, qeveria firmos

Qeveria ka firmosur të akordojë një fond shtesë ndaj Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, pasi në zgjedhjet e 14 Majit, veç Vorës do të kryhet votim dhe numërim elektronik edhe në Elbasan dhe Kamzë.

Në fletoren zyrtare shihet i zbardhur vendimi i qeverisë, me kërkesë të Ministrisë së Financave për alokimin e një fondit prej 1.9 mld lekësh për financimin e votimit elektronik sipas kërkesës së bërë nga KQZ dhe 600 milionë për shpenzime të tjera. 

Vendimi i qeverisë

Nr. 38, datë 27 1.2023
PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2023, MIRATUAR PËR KOMISIONIN QENDROR TË ZGJEDHJEVE, PËR ORGANIZIMIN E ZGJEDHJEVE PËR ORGANET E VETËQEVERISJES VENDORE, TË DATËS 14 MAJ 2023

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 87, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 5 e 45, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr. 84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, për organizimin e zgjedhjeve për organet e vetëqeverisjes vendore, të datës 14 maj 2023, i shtohet fondi prej:
a) 1 993 610 933 (një miliard e nëntëqind e nëntëdhjetë e tre milionë e gjashtëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e tridhjetë e tre) lekësh, në zërin “Shpenzime korrente”, të programit buxhetor 01620 “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”;
b) 606 389 067 (gjashtëqind e gjashtë milionë e treqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëdhjetë e shtatë) lekësh, në zërin “Shpenzime kapitale”, të programit buxhetor 01620 “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”.

2. Efekti financiar, i përcaktuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet:

a) 1 800 000 000 (një miliard e tetëqind milionë) lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për përballimin e kostos së zgjedhjeve, miratuar për vitin 2023;

b) 800 000 000 (tetëqind milionë) lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme, miratuar për vitin 2023.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

ZËVENDËSKRYEMINISTËR
Belinda Balluku

 

 

Të fundit