Flash News

Ditari i Maxhorancës

Dy muaj më parë u shpreh kundër, si ndryshoi qëndrim Ulsi Manja për hartën e re gjyqësore

Dy muaj më parë u shpreh kundër, si ndryshoi qëndrim Ulsi

Sot u prezantua harta e re gjyqësore nga kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami dhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manja. Ky i fundit u shpreh se harta e re është një zgjidhje e balancuar dhe se do të afrojë gjykatat me qytetarët. Ai renditi dhe disa argumenta të tjera për hartën e re që sipas Manja, do të sjellin ndikim pozitiv.

"Grupi i Punës ka kryer një punë të lavdërueshme, të garantohet afërsia e individit me gjykatën. Ne jemi kujdesur për të garantuar që ky propozim të përmbush objektivat e ligjit, por të ketë një hartë gjyqësore që i paraqitet realitetit shqiptar.

KLGJ të kujdeset që të ruajë një sportel ku të parashikojnë një gjykatë, ministria e drejtësisë në analizën që ka kryer, ka shqyrtuar edhe kriterin e garantimit të aksesit në drejtësi dhe nevojën që gjykata të jetë sa më afër qytetarit.

Kjo është zgjidhja më e balancuar për të pasur një hartë gjyqësore, do të realizohet thelbi i së drejtës, se do të sjellë normalizimin e ngarkesës, seancat nuk do të shtyhen më për kohë të gjata duke ulur kostot", tha Manja.

Mesa duket Manja ka ndryshuar qëndrim, pasi kur u njoh me propozimin e KLGJ-së nuk ishte dakord. Në fillim të tetorit, ai u shpreh kundër reduktimit të gjykatave. Ai e cilësoi procesin si jo të lehtë, duke evidentuar si të rëndësishme trupën gjyqësore.

"Procesi i miratimit të hartës së gjyqësorit është një proces jo i lehtë, pasi merren parasysh shumë faktorë.  Thelbi i hartës është përqendrimi i trupës gjyqësore. Unë e thashë që ne do të shkojmë drejt variantit që do t'i çojmë shërbimet gjyqësore atje ku janë sot", tha Manja.

Me hartën e re gjyqësore nga 34 gjykata  do të mbeten 15. Gjithashtu do të ketë vetëm një Gjykatë Apeli në të gjithë vendin me seli në Tiranë. Me hartën e re do të mbyllen gjykatat në rrethe si Laçi, Mati, Puka, Tropoja, Përmeti etj.

 

 

Të fundit