Flash News

Ditari i Maxhorancës

E drejton Olsi Rama, qeveria i jep “Partizanit” pasuri shtetërore me 1 euro qira

E drejton Olsi Rama, qeveria i jep “Partizanit” pasuri

Këshilli i Ministrave ka miratuar një shtesë në kontratën e qirasë me tarifë simbolike 1 euro, duke i kaluar shoqërisë “Partizani” sh.a. një pasuri shtetërore me sipërfaqe rreth 12 mijë e 690 metra katrorë, e cila më parë ka shërbyer si repart ushtarak.

Sipas vendimit të qeverisë, bëhet fjalë për pasurinë shtetërore nr. 3/442, të identifikuar si “Reparti ushtarak nr.6010 (IGJIU), ish-RU nr.7030 (IGJU)”, e ndodhur në zonën kadastrale 8110 në Tiranë. Prona mbetet formalisht në pronësi të shtetit dhe nën administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes, por i jepet me qira shoqërisë “Partizani” sh.a. me tarifën simbolike 1 euro.

Shoqëria “Partizani” sh.a. drejtohet aktualisht nga Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama, fakt që e bën këtë vendim objekt të interesit të shtuar publik dhe debatit politik.

Ky vendim përbën një shtesë të kontratës ekzistuese, pasi që prej vitit 2016 “Partizani” ka përfituar tashmë një tjetër kontratë qiraje me 1 euro për një sipërfaqe prej rreth 37 mijë metra katrorë në të njëjtën zonë, e miratuar nga qeveria Rama.

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË DHE NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.183, DATË 9.3.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS SË QIRASË ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA, NDËRMJET MINISTRISË SË ZHVILLIMIT EKONOMIK, TURIZMIT, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES, SI QIRADHËNËS, DHE SHOQËRISË “PARTIZANI”, SH.A., SI QIRAMARRËS, PËR PASURINË “AMBIENTE TË PRONËS NR.4, ME EMËRTIM “REPARTI USHTARAK NR.4030, RRUGA “MYSLYM KETA”, TIRANË”, NË ADMINISTRIM TË MINISTRISË SË MBROJTJES”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, të ndryshuar, dhe të krerëve I, pika 5, shkronja “e”, dhe V, të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.183, datë 9.3.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesa dhe ndryshimi, si më poshtë vijon:

1. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:

“1.1. Dhënien e miratimit për lidhjen e shtesës së kontratës së qirasë, me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Partizani”, sh.a., me NUIS K02322003T, si qiramarrës, për pasurinë e paluajtshme shtetërore nr.3/442 (prona nr.6, me emërtim “Reparti ushtarak nr.6010 (IGJIU), ish-RU nr.7030 (IGJU)”), me sipërfaqe të përgjithshme 12 692.94 (dymbëdhjetë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e dy pikë nëntëdhjetë e katër) m2, në zonën kadastrale 8110, me vendndodhje në Tiranë, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, sipas dokumentacionit të pronësisë, genplanit dhe tekstit të projektkontratës, që i bashkëlidhen këtij vendimi.”.

2. Në pikën 2, emërtesa “Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes” zëvendësohet me “Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Të fundit