Flash News

Ditari i Maxhorancës

Fëmijët pa transport në shkolla/ Ministrja e Arsimit takim nesër me kryebashkiakët e vendit

Fëmijët pa transport në shkolla/ Ministrja e Arsimit takim

Deputetët e opozitës kanë ngritur sot në seancën plenare të Kuvendit, problemin e mungesës së transportit për fëmijët të cilët i kanë shkollat shumë larg vendbanimeve të tyre. Kjo ka bërë që ministrja e Arsimit Evis Kushi të planifikojë nesër një takim me kryebashkiakët e vendit.

Ishin deputeti Kreshnik Çolllaku dhe Oriola Pampuri që sollën raste të fëmijëve në zonën e Matit dhe në njësinë administrative të Tiranës Zall-Herr, ku fëmijëve iu mungon transporti për të shkuar në shkollë. Shqetësimit që ngritën dy deputetët e opozitës, gjetën mbështetjen e deputetit socialist Ismet Beqiraj.

"E kërkova fjalën që kur foli kolegu i opozitës Çollaku për dy shqetësimet që ngriti për fëmijët e Planit të Bardhë. Shfrytëzoj rastin se jam edhe drejtues politik i atij qarku dhe në lidhje me shqetësimin që ai ngriti për largësinë e Planit të Bardhë, ku 15 fëmijët ndjekin mësimin në Klos. Bashkohem plotësisht me shqetësimin e kolegut pavarësisht se është koleg i opozitës, por sensibilitetet janë të njëjta. Besoj që ministrja e arsimit, kolegia ime Kushi do ta marrë në konsideratë dhe shumë shpejt do kemi edhe një zgjidhje jo vetëm për fëmijët e fshatit të Planit të Bardhë por edhe kudo ku ka problematika të tilla sepse arsimi i fëmijëve është arsyeja për të cilën ne jemi këtu, por edhe ata të tjerë që na ndjekin jashtë kësaj salle", u shpreh Beqiraj.

Ministrja e Arsimit Evis Kushi deklaroi se nesër në orën 11:00 do të ketë një takim mes saj dhe kryebashkiakëve të vendit për të diskutuar rrugët e mundshme për zgjidhjen e këtij problemi.

"Doja t'i falënderoj deputetët që ngrenë shqetësimin e transportit dhe të pamundësisë që kanë për fat të keq disa nxënës në zona të ndryshme të Shqipërisë, sidomos zona periferike, për të shkuar në shkollë. Edhe për ne është një shqetësim shumë i madh dhe iu siguroj që ne e kemi ndjeshmërinë maksimale dhe po merremi me këtë çështje. Madje nesër në orën 11 ne kemi organizuar një takim me të gjithë kryebashkiakët këtu në Tiranë, ku një ndër pikat që do të trajtojmë është pikërisht transporti i nxënësve. Ky është një problem që ne duhet ta zgjidhim bashkë me ta", tha Kushi.

 

Të fundit