Flash News

Ditari i Maxhorancës

Gjykata Kushtetuese rikthen në detyrë Belinda Ballukun

Gjykata Kushtetuese rikthen në detyrë Belinda Ballukun

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pezullojë vendimin e GJKKO-së, duke i hapur rrugë rikthimit në detyrë të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Vendimi u mor pas shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga kryeministri Edi Rama,  i cili refuzon ta shkarkojë të besuarën e tij.

Në mbledhjen e sotme, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi paraprakisht kërkesën e kryeministrit Edi Rama. Rama kërkoi që të zgjidhej mosmarrëveshja e kompetencave midis ekzekutivit dhe GJKKO-së, duke argumentuar se gjykata nuk kishte të drejtë të pezullonte një ministër, pasi anëtari i qeverisë gëzon imunitetin e deputetit.

Me shumicë votash ( 5 me 3), Kushtetuesja vendosi:

Të kalojë çështjen për shqyrtim në seancë plenare publike, për shkak të interesit të lartë publik;

Të pezullojë zbatimin e vendimeve të GJKKO-së, duke i mundësuar Ballukut rikthimin në detyrë;

Të thërrasë si palë të interesuara SPAK-un, Gjykatën e Posaçme, Kuvendin dhe Presidentin e Republikës.

Ndërkohë, Kushtetuesja nuk pranoi kërkesat e partisë “Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptar” dhe të organizatës “Lëvizja për Mbrojtjen e të Drejtave Universale” për t’u përfshirë në proces, duke theksuar se nuk kanë interes kushtetues në këtë mosmarrëveshje.

Seanca plenare publike është caktuar për 22 janar 2026, ora 10:00, ku pritet të shqyrtohet përfundimisht kërkesa e qeverisë dhe të vendoset nëse vendimi i GJKKO-së do të shfuqizohet plotësisht apo jo.

Megjithatë, masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit për Belinda Ballukun mbetet në fuqi, pasi ajo nuk është pjesë e ankimit të qeverisë në Gjykatën Kushtetuese.

Që nga dita kur SPAK njoftoi pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra, kryeministri Edi Rama është shndërruar në mbrojtësin më të fortë dhe më publik të saj.

Në çdo dalje, ai e ka trajtuar rastin jo si një çështje individuale, por si një përplasje mes ekzekutivit dhe sistemit të drejtësisë, duke e cilësuar vendimin e SPAK “antikushtetues”, “absurd” dhe “politikisht i motivuar”.

Rama ka refuzuar ta shkarkojë Ballukun, duke deklaruar se “nuk mund të pranojë që një vendim i një gjykate t’i diktojë qeverisë se kush duhet të jetë ministër”.

Të fundit