Flash News

Ditari i Maxhorancës

"Hajdutë 2 metra" dhe "playboy", zyrtarët e lartë socialistë që përfunduan në pranga

"Hajdutë 2 metra" dhe "playboy", zyrtarët e

Ditën e sotme me urdhër të SPAK u arrestua ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj. Ai ra në pranga në kuadër të hetimeve të SPAK për korrupsion dhe fshehje pasuri në lidhje me abuzimet me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programin Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) nga BE. 

Por Beqaj nuk është ish-ministri i parë nga qeveria Rama që është arrestuar. Më poshtë po rendisim disa nga ish-minisrat dhe pushtetarët të cilët janë arrestuar ndër vite:

Ministra dhe Zyrtarë të Lartë

I pari njeri i rëndësishëm i socialistëve që u akuzua dhe u dënua nga drejtësia e re ishte ish-Ministri i Brendshëm, Samir Tahiri, me dosje përgjimesh nga Italia në vjeshtën e vitit 2017.  Ai u dënua nga Gjykata me 3 vjet e 4 muaj heqje lirie, me akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa kreu vetëm 16 muaj burg. Por ky dënim nuk u shlye i gjithi, pasi Gjykata e Elbasanit argumentoi lirimin e tij me një raport të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku theksohej se bashkëshortja e ish-ministrit të Brendshëm, për shkak të problemeve shëndetësore, nuk mund të kujdeset për dy fëmijët e çiftit. 

Ish-Ministër i Mjedisit,  Lefter Koka  u arrestua në dhjetor 2021 për akuzat e korrupsionit lidhur me inceneratorët. Akuzohet për shpërdorim detyre dhe pastrim parash. Bashkë me ish-ministrin Lefter Koka, po për inceneratorët, u arrestua edhe deputeti socialist Alqi Bllako, dikur ish Drejtor i Ujësjellës Kanalizimeve dhe Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, ku u firmosën koncesionet në fjalë. GJKKO me kërkesë të SPAK ka dhënë në shkallë të parë për të po dënim me 7 vite burg me gjykim të shkurtuar dhe procesi vijon në shkallët e tjera, teksa Bllako i ka mohuar akuzat.

Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, në kërkim

Ahmetaj, aktualisht në arrati, u largua nga Shqipëria disa orë përpara se të bëhej publik vendimi i SPAK për të kërkuar ndalimin e tij. Ai akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në lidhje me çështjen e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit. Ahmetaj ka drejtuar Financat dhe Rindërtimin, duke qenë numri dy i Qeverisë me postin e fundit, nga ku ka firmosur edhe dhjetëra vendime në emër të kryeministrit Rama.

Kryebashkiakë

Ish-kryetar i Bashkisë së Durrësit dhe anëtar i Partisë Socialiste, Vangjush Dako  u arrestua në vitin 2023 për akuza që lidhen me korrupsion dhe shpërdorim detyre gjatë kohës së tij si kryetar bashkie.

Ish-kryetar i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe  u arrestua në korrik 2021 për akuza të korrupsionit dhe shpërdorim detyre. Ai dyshohet për përfshirje në tendera të parregullt.

Ish-kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, Haxhi Memolla  u arrestua në vitin 2022 për akuza të korrupsionit dhe shpërdorim detyre.

Ish-kryetar i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi u arrestua në vitin 2022 për akuza të korrupsionit dhe shpërdorim detyre.

Një tjetër i afërt bashkëpunëtor i kryeministrit, Safet Gjici, ish-kryebashkiak i Kukësit, është sot nën akuzë nga SPAK për shpërdorim detyre dhe korrupsion, pas video-skandalit seksual të publikuar në media. Ai u akuzua se i dha ‘tenderin për sterilizimin e qenve’ një gruaje më të cilën u denoncua pas një video ku shfaqej në një aferë seksuale në zyrën e tij. Video u publikua në media, teksa Gjici shfaqej në momente intime pornografike dhe të dy pas një procesi me gjykim të shkurtuar u dënuan për korrupsion e shpërdorim detyre. Gjici s’i pranoi akuzat, teksa procesi vijon në shkallën e dytë.

Rama "lan duart" 

Ndërkohë kryeministri më herët kur është pyetur në lidhje me arrestimet e shumta të pushtetarëve të tij  ka larë duart duke deklaruar se kush ka shkelur ligjin, qoftë politikan apo ministër le të përballet me drejtësinë, pasi kjo sipas tij është përgjegjësi individuale.

 

Të fundit