Flash News

Ditari i Maxhorancës

“Inflacionin nuk e solli qeveria”/ Rama premton dyfishim buxheti për vitin e ardhshëm, sulmon opozitën

“Inflacionin nuk e solli qeveria”/ Rama premton dyfishim buxheti

Kryeministri Edi Rama mbledhur sot në mëngjes Kryesinë e Partisë Socialiste në selinë rozë.

Në përfundim të takimit, Rama tha për mediat se pati një diskutim të frytshëm mbi zgjedhjet e ardhshme vendore dhe detyrat që ka gjithsecili në përmbushjen e objektivave.

Kryeministri u ndal te kriza e çmimeve që ka prekur shqiptarët duke garantuar se do të ketë një dyfishim të buxhetit të ardhshëm krahasuar me atë të vitit 2013. Sa i përket energjisë elektrike, Rama i mban shpresat sërish te shiu për të mbushur hidrocentralet për të mos u përballur me mungesë të energjisë elektrike, pasi sipas tij prodhimi në Shqipëri nuk i përmbush nevojat.

Rama u shpreh se është detyra e qeverisë të mbrojë qytetarët nga kriza teksa shmanget duke thënë se inflacionin nuk e solli qeveria. 

“Kemi bërë një diskutim të frytshëm dhe natyrisht që kemi ndarë edhe detyrat në bazë të këtij aktivitetit që nis nesër për tu shtrirë në të gjithë Shqipërinë dhe për të komunikuar  për qeverisje vendore. Kemi hyrë në një epokë të një kërcënimi të madh. Ne si pjesë  e Europës jemi të detyruar të përballemi me kërcënime të kësaj epoke, që ka sjellë si pasojë përveç bombave dhe krimeve në Ukrainë edhe rritjen e çmimeve të energjisë, në të gjithë botën, dhe sigurisht edhe në Shqipëri. Është Inflacion lufte dhe kosto që i paguan aventurës së diktatorit si Putin. Edhe pse nuk ka sjellë qeveria inflacionin, i takon qeverisë të lehtësojë peshën e kësaj lufte, mbi shpatullat e familjeve. Kemi bërë gjithçka kemi mundur. Po finalizojmë buxhetin e vitit të ardhshëm që është dyfishi i buxhetit 2013 që tregon se ka ndryshime pozitive. Ky dyfishim është i bazuar tek domosdoshmëria që t’i mbështesim të gjithë. Plani për të mbrojtur çmimin e energjisë për familjen dhe biznesin, urojmë të jetë. Urojmë të ketë shi, pasi dihet se ne jemi të varur  nga burimet ujore. Duke pasur më shumë prurje shiu kemi më pak nevojë të dalim me import. Do të dalim, edhe sikur të kemi  plot e për plot, Shqipëria nuk prodhon sa për të përmbushur të gjitha nevojat. Jemi besimplotë se do e kapërcejmë këtë dimër pa dhimbje të mëdha. Masat dhe mbështetja që do i japim kategorive, do e lehtësojmë”, tha Rama.

Nga selia rozë, Rama sulmoi edhe opozitën. Kryeministri rikujtoi çështjen e lobimit rus për të cilën akuzohet Lulzim Basha, teksa tha se është e zhytur në buxhetin e rublave.

“Në këtë epokë kërcënimi të madh, kur Shqipëria nuk bën përjashtim nga kërcënimi, kur na duhet të përballemi me pasojat që është e re dhe vjen te ne siç erdhi tërmeti, pandemia, duhet të jemi të qartë, të vendosur, të bashkuar, të lidhur me partnerë të fuqishëm. Do ishte mirë të kishim një opozitë që të rrinte mirë në këtë kontekst,  por kemi një opozitë që premton vetëm izolim nga bota dhe nga ana tjetër është e zhytur në buxhetin e rublave. Është fatkeqësi, edhe veprimtaria, edhe mënyra se si vepron në mënyrë të përditshme mbajnë erë. Ajo çka dimë nuk është e gjitha ajo që duhet ditur”, u shpreh Rama.

 

 

Të fundit