Flash News

Ditari i Maxhorancës

‘Injoron’ raportin e TI për korrupsionin, Rama për WELT: Nëse BE nuk çel negociatat, bëhemi murgeshat e Evropës

‘Injoron’ raportin e TI për korrupsionin, Rama për WELT:

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për gazetën gjermane ‘Welt’, ku ka prekur tematikat kyçe jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të rajonit dhe botës.

Teksa foli për çeljen e negociatave, Rama tha se ndonjëherë nuk mjafton vetëm t’i përkushtohesh Bashkimit Evropian, pasi KE ka 4 vite që nuk po i jep Shqipërisë dritën jeshile për çeljen e negociatave. Këtë Rama e ka konsideruar një manovër taktike.

“M’u desh ta pësoja për të marrë këtë mësim: nuk mjafton ta duash e t’i përkushtohesh BE-së, nuk mjafton që të bëjmë gjithçka që ajo kërkon për të dhënë pëlqimin e saj për martesë. Sepse nuk ka të bëjë me ne, por me ta. Komisioni Evropian ka katër vjet që ka dhënë dritën jeshile, por dikush në Këshillin e BE-së vazhdon të thotë jo dhe procesi ngrin sërish. Kjo ndodh për shembull, kur afrohen zgjedhjet kombëtare. Disa qeveri në BE janë pengje të narrativave nacional-populiste, si përshembull nëse BE-ja pranon një anëtar të ri, do shtohen gjithnjë e më shumë anëtarë të tjerë. Është një manovër taktike sepse kanë frikë nga opinioni publik”, ka thënë Rama.

I pyetur për raportin e Transparency International, i cili e rendit Shqipërinë ndër të fundit për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, në vendin e 110 nga 180 në 2021, Rama tha se nuk i beson asaj transparence.

“Nuk i besoj kësaj transparence, sido që të jetë, asnjë sekondë. Ne kemi bërë kaq shumë përparim. Vetëm një shembull: Shqipëria ka dixhitalizuar tashmë 95 për qind të shërbimeve të saj. Kur u futa në politikë, asnjë shërbim nuk menaxhohej në mënyrë dixhitale. Njerëzit duhej të qëndronin në radhë për orë të tëra për të marrë një dokument. Gjithçka ishte e korruptuar. Si ka mundësi që kjo ecuri të mos përmirësojë renditjen tonë? Le të mos harrojmë edhe reformën tonë në drejtësi”, ka vijuar Rama.

Referuar integrimit, Rama me ironi, u shpreh se nëse BE nuk pranon të martohet me Shqipërinë, atëherë Tirana ‘do të plaket pa u martuar’. Kryeministri konsideroi se Shqipëria është një vend i vogël, dhe vetë Ballkani është një rajon me rëndësi gjeostrategjike.

Ai e ka konsideruar të rrezikshme faktin që BE ende nuk ka bërë hapa pas për të hapur dyert e vendeve ballkanike.

“Shqipëria mund të mos jetë e pasur, por nuk duhet harruar se si të gjitha vendet e Ballkanit është vend i vogël. Ballkani ka shumë rëndësi gjeostrategjike. Është e rrezikshme për BE-në që vendet e Ballkanit të mos jenë anëtare. BE-ja do të ishte më e sigurt dhe më e fortë me to si pjesë e saj. Për momentin, BE-ja është i vetmi realitet gjeografik me një kufi të brendshëm, është si një njeri që vjen rrotull me plagën hapur. Kjo e bën të dobët dhe i duhet ta mbyllë këtë plagë për të mbrojtur veten. Nëse BE-ja nuk pranon të martohet, ne do të plakemi pa u martuar kurrë. Ne do të jemi murgeshat e Evropës. Por ne kurrë nuk do të heqim dorë nga përpjekjet për t’u martuar me BE-në dhe me askënd tjetër”, është shprehur kryeministri.

Të fundit