Flash News

Ditari i Maxhorancës

"Korrupsion, ryshfet, bakshish, neveri", Rama-Policisë: Ndëshkoni fshatarët për një avlli dhe lejoni ndërtimet pa leje në bregdet

"Korrupsion, ryshfet, bakshish, neveri", Rama-Policisë:

Gjatë takimit me drejtuesit e Policisë së Shtetit, kryeministri Edi Rama i kritikoi ata dhe sa i përket lejimit të ndërtimi pa leje në bregdet. Kryeministri tha se krimi i ndërtimeve pa leje bëhet në sy të tyre.

Rama tha se Policia e Shtetit ka çuar për ndjekje penale fshatarë në zona të humbura për një avlli, për një gardh, për një mur, dhe ndërkohë janë toleruar veprimtari kriminale të ndërtimit pa leje në zonat turistike, në zonat e mbrojtura natyrore, arkeologjike.

Sipas tij, lejimi i ndërtimeve pa leje nuk ka asnjë emër tjetër përveç se korrupsion, ryshfet, bakshish, neveri, shëmti.

“Një sfidë ndaj ligjit dhe ndaj qytetarit të mirë, ndaj popullit komplet, që respekton ligjin. Në mes të qytetit. Unë nuk mund të hyj tek ata që fajësojnë Policinë e Shtetit se një i çmendur shkel gazin edhe sakaton njerëz të pafajshëm në rrugë, apo se dy palë futen në një konflikt që degjeneron në shkrehje karikatorësh në trupin e njëri-tjetrit në mes të natës, por ama nga ana tjetër nuk mundem dot të ndahem nga opinioni publik, kur Policia e Sarandës lejon një arenë zhurme, ahengu, shëmtie, pas mesnatës, që mbaron me plumba.

Sot ne jemi përballë edhe ca faktesh të ekspozuara nga veprimtari e disa eksponentëve të Policisë së Shtetit të së shkuarës jo të largët, të implikuar në veprimtari kriminale. Është shumë pozitive që këta individë ekspozohen dhe marrin atë që meritojnë, por është shumë domethënëse për të kuptuar se çfarë duhet të mbrojmë, ruajmë dhe parandalojmë në trupin e Policisë së Shtetit.

Nga ana tjetër, nuk e di në cilin vit kemi hyrë tani, por me një llogari të thjeshtë është viti i disatë, kur ne shikojmë me keqardhje që Policia e Shtetit dhe drejtuesit kryesor të saj në nivel vendor akoma nuk e kanë përvetësuar plotësisht dhe nuk e kanë bërë pjesë organike të punës së tyre misionin e mbrojtjes së territorit në çdo aspekt. Ka qenë një problem i madh i gjithë administrimit dhe menaxhimit tonë të shtetit për dekada ndarja e Policisë së Shtetit nga ky mision. Ne e kemi njësuar këtë mision me Policinë e Shtetit në të gjithë aspektet e cënimit të pronës publike dhe të mjedisit. Për cilën arsye në botë ne duhet të kemi akoma shfaqje të ndërtimeve pa leje? Vetëm për një arsye, korruptimi i punonjësve të Policisë së Shtetit, bashkëpunimi në krim.

Në Parlament, në muajt e fundit, ka kaluar një tjetër paketë përforcuese. Kostot abuzive janë marramendëse për shtetin shqiptar dhe qytetarët nuk kanë arsye të paguajnë asnjë cent dhe jo më miliona për ato kosto. Parametrat e sigurisë rrugore dhe garantimi i pacënueshmërisë së territorit nga ndërtuesit pa leje duhet të jetë prioritet i palëvizshëm për cdo drejtues të ri të Policisë së Shtetit, që raportin me qytetarët dhe me territorin duhet t’i ketë si dy anët e të njëjtës medalje të punës së përditshme.

Janë çuar për ndjekje penale fshatarë në zona të humbura për një avlli, për një gardh, për një mur, dhe ndërkohë janë toleruar veprimtari kriminale të ndërtimit pa leje në zonat turistike, në zonat e mbrojtura natyrore, arkeologjike.

Megjithëse në mënyrë të përsëritur e kemi nënvizuar, që është e turpshme, e frikshme, e pagëlltitshme, që strukturat e policisë në territor të shpenzojnë energji, kilometra, kohë për të shkuar e për të futur në telashe e ndjekje penale fshatarë që rregullojnë avllitë, ndërkohë që para syve të tyre dhe me miratimin e pjesëmarrjen e tyre në korrupsion hidhet beton në pjesët më të bukura të trupit të vendit tonë. Kultivohen puçrra me qelb në trupin e bukur të Shqipërisë.

Bëhen ndërtime pa leje brenda vijës së verdhë të bashkive, hidhet beton. Çfarë bën Policia e Shtetit në ato kuadrate që janë të ndara qartësisht mes komisariateve? Kthen sytë nga ana tjetër. Këtu nuk flitet për skena krimi, ku në pak sekonda del një armë dhe ata që gjuajnë ikin me motor, këtu flitet për skena krimi aktive me orë, ditë, javë të tëra. Është krim i përcaktuar si i tillë e zeza mbi të bardhë në Kodin Penal të Shqipërisë. Është si cdo krim tjetër, madje me dënime shumë të rënda. Dhe këto skema krimi zhvillohen në sytë e policëve, që kanë detyrimin ligjor të veprojnë menjëherë. Kjo nuk ka asnjë emër tjetër. Emri është korrupsion, ryshfet, bakshish, neveri, shëmti!”, u shpreh kryeministri Rama.

Rama theksoi, se çdo ndërtesë pa leje në vijën bregdetare duhet të shembet, e përgjegjësia për këtë sipas tij, është e Policisë së Shtetit.

“Ajo që konsideroj problematike është mosnjohja dhe mosinformimi permanent me ligjin, me normat, parimet ligjore që vepron Policia e Shtetit. Ligjin duhet ta njohë e zbatojë çdo punonjës policie, në çdo cep të territorit. Policia e Shtetit duhet të jetë një vatër dijeje, dijeje për praktikat e teknologjisë në inovacion. Dije për praktikat e mira deri tek sjellja. Që kjo vatër dije të funksionojë plotësisht duhet që edukimi në vazhdim, trajnimet, provimet brenda për brenda të jenë të pandërprera. Të gjithë kemi nevojë të mësojmë çdo ditë, sepse ka vend për të mësuar. Qëllimi i këtyre ndryshimeve në Policinë e Shtetit është i veçante.

Synimi i materializuar në personat, që sot drejtojnë falë besimit që kanë marrë nga Drejtori i Përgjithshëm është që njerëz me profesionalizëm, me integritet, rezultate, të marrin në dorë drejtimin e policisë në këtë fazë të re. Një fazë e re e planifikuar prej kohësh, e përshpejtuar nga ngjarjet e fundit që kërkon ngjitjen e mëtejshme në një nivel mesatar evropian, me shifra dhe standarde të Policisë së Shtetit. Nëse do të rendisja prioritetet me numra, do të thosha prioriteti nr 1 është raporti me qytetarin, që kërkon që patrullat e renditet, forcat “Shqiponja”, të hynë në një proces shkundjeje të fortë dhe lëvizje nga brenda, për të promovuar drejtues policie si ju vetë që keni marrë besim të ri, e për të garantuar që marrëdhënia me qytetarin të jetë A-ja dhe ZH-ja e vlerësimit për çdo punonjës policie.

Nuk duhen shumë, mjaftojnë shumë pak individë që flasin për çart për të degraduar imazhin e të gjithëve. Nuk janë të gjithë punonjësit që ndalojnë njerëzit në rrugë për lekë, janë shumë pak prej tyre, por janë mjaftueshëm për të degjeneruar imazhin e të gjithëve bashkë. Prioriteti 2 i policisë është kontrolli i plotë i territorin, në sensin e mbrojtjes së pronës publike dhe mjedisit. Nuk ushtrohen aktivitet i paligjshëm në trupin e Shqipërisë. Policia është gardiane e pacenueshmërisë së trupit të këtij vendi, që “Burrat e dheut e thërrisnin zonjë”. Këtë zonjë, duhet ta mbrojë policia e shtetit nga çdo cënim, puçër me qelb që ia nxjerrin në trup dhunuesit.

Të gjithë ju, do të godisni pa asnjë mëshirë. Operacioni i nisur dhe i ndërpre përkohësisht për sezonin, duhet të jetë permanent deri në fund, për shembjen dhe prishjen e ndërtimeve pa leje në të gjithë zonën turistike. Leximi i vëmendshëm i Kodit Penal, thotë se, pas çdo ndërtimi pa leje ka një përgjegjësi penale, nuk ka rëndësi nëse u kap tani, apo nesër. Nuk shkohet në bregdet duke konsumuar trupa e kohë dhe kostot t’i marrë shteti dhe kombi. Pas çdo ndërtimi pa leje ka persona që duhet të shkojnë në burg.

Një zinxhir i plotë madje, këtë e thotë Kodi Penal. Jo iniciatorët, investitorët, jo pronarët e firmës zbatuese, por çdo person i përfshirë në ndërtimet pa leje është subjekt i ligjit, sepse nuk thua që jam këtu inxhinier dhe nuk e di a ka leje apo jo, sepse i bie të thuash që jam shofer dhe nuk e di që në karrocerinë e makinës kanë futur drogë, s’ka dallim. Leximi mirë i ndryshimeve që janë bërë dhe zbatimi i ligjit, prioritet absolut për drejtuesit e rinj”, u shpreh kryeministri.

Të fundit