Flash News

Ditari i Maxhorancës

Mandati i Xhaçkës/ Mblidhet sot Këshilli për Rregulloren, ministrja raporton para deputetëve

Mandati i Xhaçkës/ Mblidhet sot Këshilli për Rregulloren,

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin mblidhet sot në orën 13:00 për të shqyrtuar kërkesën e deputetëve demokratë për heqjen e mandatit të ministres dhe deputetet Olta Xhaçka.

Kërkesa e demokratëve erdhi pasi bashkëshorti i Xhaçkës fitoi nga qeveria statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një resorti në Himarë. Sipas demokratëve, edhe Xhaçka përfiton nga prona publike dhe të ardhurat që rrjedhin prej saj, çka bën që ministrja të jetë në konflikt interesi me Kushtetutën.

Pritet që Xhaçka të jetë e pranishme në mbledhje, për të raportuar para deputetëve lidhur me akuzat e hedhura ndaj saj.

“Sot, ditën e premte, datë 08.07.2022, ora 13:00, do të zhvillohet mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në Kryesinë e Kuvendit, salla “Pjetër Arbnori”, me këtë rend dite:

Vijimi i mbledhjes për mocionin e 1/10 të deputetëve përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike “Për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit te mandatit të deputetes Olta Xhaçka”, me dëgjesën e deputetes Olta Xhaçka në lidhje me mocionin e paraqitur.

(Urdhër nr. 62, datë 06.07.2022, i Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla)”, thuhet në njoftim.

Më herët Xhaçka tha se nuk ka marrë asnjë cm tokë publike dhe asnjë qindarkë para publike, por se bashkëshorti i saj i ka fituar paratë me punë gjatë emigracionit.

Të fundit