Flash News

Ditari i Maxhorancës

"Më e keqja ka kaluar", Peleshi i përgjigjet opozitës nga Vlora: Ka limite, nuk po punohet me mjete rrethanore

"Më e keqja ka kaluar", Peleshi i përgjigjet opozitës

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka qenë në Vlorë për të parë nga afër situatën e krijuar nga zjarret. Ai tha se ka dyshime të forta për zjarrvënie të qëllimshme, pasi disa vatra janë aktivizuar në të njëjtën kohë. Peleshi theksoi se ka ende vatra të vogla aktive, ndërsa tha se situata mbetet serioze në Gadishullin e Karaburunit.

"I kemi të forta dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme. Pra disa vatra kanë shpërthyer në të njëjtën kohë. Shtuar edhe kushtet atmosferike. Rreth tre katër fshatrave ka pasur flakë e zjarre të shumta.

Ka kaluar më e keqja, por po punojmë akoma. Bëhet fjalë për një bazë ushtarake, e kjo e rrit rëndësinë që ka. Vatrat më të rrezikshme janë në Karaburun. Është djegur një faqe e malit, rreziku është prekja e Parkut të Llogarasë", tha Peleshi.

Ky i fundit bëri me dije se është kërkuar ndihmë dhe nga shtetet e tjera, duke nënvizuar se Holanda i është përgjigjur pozitivisht kërkesës dhe sot do të sjellë një ekip.

"Kemi tre helikopterë në punë, po punohet në disa drejtime për të mos lejuar avancimin e vatrave të zjarrit. Që në krye të herës i kemi kërkuar kërkesë për mbështetje shteteve fqinje dhe shteteve të tjera, si Italinë, Greqinë, Turqinë, Çekinë, Ukrainën. Holanda është përgjigjur në mënyrë bujare dhe sot presim të sjellë një ekip të sajin te ne për të na mbështetur nga zjarret", u shpreh ministri.

Ai komentoi dhe akuzat opozitës. Peleshi tha se nuk po punohet me mjete rrethanore dhe cilido shtet ka limite sa i përket kapaciteteve.

“Ka limite çdo shtet, sado i fuqishëm të jetë një shtet, nuk ka kapacitete për të përballuar këto situata. Nuk punohet me mjete rrethanore. Nuk është ndihmë të përdorim nota peçorative për ushtarin. E kam fjalën për opozitën”, deklaroi Peleshi.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Të fundit