Flash News

Ditari i Maxhorancës

Me shkresa në duar, Rama sulmon mediat e opozitën: 4646 m² në mes të Tiranës i kalojnë shtetit

Me shkresa në duar, Rama sulmon mediat e opozitën: 4646 m²

Përmes një video-mesazhi në Facebook, kryeministri Edi Rama ka sulmuar mediat dhe opozitën referuar kritikave për konfiskimin e kateve pa leje. Me disa shkresa në dorë, Rama tha se është firmosur akti i parë i dorëzimit të 4 mijë e 646 metrave katrorë, ndërtuar pa leje në qendër të Tiranës te shteti.

“Askush, as opozitat që nuk lënë akuzë pa bërë, as mediat që nuk lënë gjë pa thënë, as drejtësia jo e jo, që nuk lë avlli apo papafingo nëpër periferi pa ndëshkuar, nuk i pa, nuk i tha, nuk i dëgjoi, nuk i kërkoi katet dhe metrat e ndërtuara pa leje për qëllim fitimi deri dhe në mes të Tiranës.

Sepse të tërë, ose e kanë të ngjyer gishtin, kush më shumë e kush më pak, kush direkt e kush indirekt, në mjaltin e tullave e të betonit, ose i kanë sytë kaq të verbuara e veshët kaq tapë nga urrejtja që i mbush gojën me shpifje, me gënjeshtra, me akuza që janë shumë të fortë me të dobëtit, por shumë të dobët me të fortit”, tha Rama.

Ky i fundit tha se e ka ulur “dhjetë fish numrin e metrave katrorë pa leje që ndërtuesit e pallateve i kishin dikur bukë e djathë mu këtu në kryeqytetin e Shqipërisë”.

Sipas Ramës, vendimi i marrë se fundmi është kapitulli i fundit i përpjekjes për t’i dhënë fund ndërtimeve pa leje. Kujtojmë se me vendimin e fundit, subjektet që kanë ndërtuar pa leje mund t’i legalizojnë katet pa leje, duke paguar një vlerë të caktuar, përpos gjobës.

Të fundit