Flash News

Ditari i Maxhorancës

Ministrat mbledhin drejtuesit e policisë për krimet mjedisore: Është prioritet si çdo krim tjetër, zero tolerancë

Ministrat mbledhin drejtuesit e policisë për krimet mjedisore:

Qeveria është ndalur sërish te krimet mjedisore. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro thirrën në një takim drejtuesit qendrorë, vendorë dhe të kufirit në Policinë e Shtetit, me fokus ndëshkimin e krimeve mjedisore.

Çuçi kërkoi nga strukturat policore klasifikimin e krimeve mjedisore, me të njëjtin prioritet si lufta ndaj krimit të organizuar, apo krimet ndaj jetës e pronës. Ai paralajmëroi se punonjësit e policisë do të mbajnë përgjegjësi për çdo dëm. Gjithashtu u shpreh prerë se nuk do të ketë tolerim ndaj atyre që ndotin apo dëmtojnë mjedisin.

Ndërsa ministrja e Mjedisit u shpreh se lufta ndaj krimeve mjedisore do të kalojë në një tjetër fazë me ndryshimet ligjore që po bëhen së fundmi. Ajo theksoi se rol më aktiv do të kenë bashkite, si përgjegjëse për territorin.

I pranishëm në takim ishte dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, i cili deklaroi se janë të gjitha kapacitetet për të gjurmuar dhe ndëshkuar edhe këtë natyrë krimi.

Ai shtoi se strukturat vendore të policisë janë duke u angazhuar mbi disa plane masash, për mbrojtjen më të mirë të territorit, duke u ndalur tek ndërtimet pa leje, ndotjen e mjedisit apo dëmtimin e prerjen e pyjeve.

Të fundit