Flash News

Ditari i Maxhorancës

“Korrupsion legjislativ”, Balluku i përgjigjet Presidences për koncesionarin e Aeroportit të Rinasit

“Korrupsion legjislativ”, Balluku i përgjigjet Presidences

Gjatë diskutimit në seancë plenare të projektligjit për marrëveshjen koncesionare të Aeroportit të Rinasit, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku i ka kthyer përgjigje disa pretendimeve të Presidencës.

Balluku u shpreh se shqyrtimi dhe miratimi i ligjit kanë marrë kohën e duhur, pavarësisht pretendimeve të Presidencës, dhe tha se fitimet me këtë kontratë do të jenë të mëdha.

"Ne jemi shprehur gjerësisht sa i përket këtij projektligji. Unë do të ndalesha vetëm në disa pika, sa i përket afateve të negocimit apo të disa pretendimeve të tjera të ardhura nga Presidenca. Duhet thënë se kjo nuk është një marrëveshje ndërkombëtare por një kontratë koncesionare. Presidenca ka pasur pretendime sa i përket kohës duhet thënë se ky negocim ka filluar që në janar të vitit 2020 dhe ka marrë më shumë kohë se normalisht për shkak të COVID. Negocimi bëhet me shoqërinë aksionare dhe jo me aksionerin. Ndryshimi i aksionarëve nuk përbën ndryshimin e një shoqërie aksionare. Ne ulemi me përfaqësinë e shoqërisë aksionare.

Sa i përket përfitimeve dua të them se janë vërtet të mëdha.  Aeroporti i Tiranës tashmë me këtë kontratë që ju duhet ta miratoni sot do ta kaloni në një stad tjetër, duke e bërë Shqipërinë me një raport 4E si vendet evropiane. Ashtu siç edhe Aeroporti i Vlorës do të bëhet shumë shpejt realitet", tha Balluku.

Edhe sekretari i përgjithshëm i PS, Taulant Balla, reagoi ndaj akuza të Presidencës, ku nga foltorja e Kuvendit u shpreh se ky është një investim shumë i madh aeroportual.

“Është një investim shumë i madh në infrastrukturën e domosdoshme aeroportuale, që do të bëjë të mundur uljen e të gjitha llojeve të avionëve në pistën e Rinasit. Ne do të kemi mundësinë të presin edhe fluturimet ndërkontinentale. Vlera e investimit shkon mbi 90 milionë euro dhe për ne ka rëndësi që do të ketë çmime më të lira për pasagjerët dhe kapacitete”, tha Balla.

Pak ditë me parë, presidenti Meta ktheu ligjin për zgjatjen e koncesionit të Aeroportit të Rinasit me 13 vjet, dhe duke parë kohën e miratimit, e konsideroi ligjin si anti-kushtetues.

Të fundit