Flash News

Ditari i Maxhorancës

Ministrja Denaj bën ndryshim në buxhet: Fond 2 miliardë lekë shtesë për blerjen e vaksinave anti-Covid

Ministrja Denaj bën ndryshim në buxhet: Fond 2 miliardë

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, prezantoi në seancën parlamentare të ditës së sotme Aktin Normativ të ndryshimit të Buxhetit, i cili parashikon një shtesë fondi prej 2 miliardë lekë, për Fondin Rezervë, me destinacion blerjen e vaksinave anti-Covid 19.

Denaj tha se vaksinimi do të vijojë të mbetet një nga prioritet e deklaruara të Qeverisë Shqiptare. Për të arritur imunizimin e të gjithë popullatës së vendit, objektivi i përbashkët mbetet vaksinimi i 2.2 milionë qytetarëve shqiptarë, për të cilët nevojiten 4.4 milion doza vaksina.

“Deri më sot Qeveria Shqiptare ka nënshkruar kontrata për sigurimin e 2.2 milion dozave të vaksinave, doza të cilat janë në përdorim dhe në proces të vaksinimit të popullatës. Megjithatë, për përmbushjen e objektivit të imunizimit ndaj Covid-19 kërkohen dhe 2.2 milion doza të tjera vaksine, tha Denaj, duke shtuar, se e përkthyer në vlerë monetare, bazuar në çmimet e vaksinave, kjo nënkupton një financim shtesë për 2 miliardë lekësh të dedikuar për blerjen e vaksinave”.

Qeveria Shqiptare pranoi propozimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për të alokuar buxhetin e nevojshëm në rezervën e buxhetit të shtetit, në përdorim sipas nevojës për çdo zhvillim në vijim.

Duke iu referuar performancës së treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 3 mujore (Janar – Mars 2021), Ministrja Denaj, tha se  është reflektuar një ecuri pozitive në arkëtime dhe shpenzime.

Të fundit