Flash News

Ditari i Maxhorancës

Nga legalizimet te falsifikimet e punonjësit të doganës dhe ryshfeti, Manja tregon rastet e hetuara nga "Antikorrupsioni"

Nga legalizimet te falsifikimet e punonjësit të doganës dhe

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka bërë publike rastet e hetuara nga Njësia Antikorrupsion. Ai tha për mediat se kanë përfunduar hetimet administrative për pesë raste dhe se zyrtarët janë paditur në Prokurori.

Tre rastet e para lidhen me Kadastrën e Durrësit. Manja bëri me dije se në dy prej tyre janë dhënë leje legalizimi pa kryer procedurat që kërkon ligji dhe se i treti ka të bëjë me një leje legalizimi të dhënë dhe dokumentet që janë dorëzuar më vonë. Printim lejesh i ka cilësuar Manja, rastet që denoncoi sot.

"E fillojmë me Kadastrën, që është objekti i përditshëm dhe i drejtpërdrejtë i punës së Njësisë Antikorrupsion, ku kemi dhe rastet më të shumta të referuara. Bëhet fjalë për Kadastrën e Durrësit, ku ka përfunduar hetimi për tre rastet e sotme.

Dy rastet e para kanë të bëjnë me dhënien e lejeve të legalizimit në kundërshtim me ligjin. Pra printohen leje duke mos respektuar procedurat që kërkon ligji përkatës. Rasti i tretë është dhe më flagrant.

Është printuar leja e legalizimit dhe i është dhënë qytetarit dhe më vonë janë bërë e dokumentat përkatëse që duhet të shoqërojnë lejen. Pra data e dhënies së lejes së legalizimit dhe dokumentat që i bashkangjiten dosjes me një datë të mëvonshme. Është printim lejesh legalizimi", tha Manja.

Ky i fundit bëri me dije se kanë përfunduar hetimet dhe për një rast, ku nënpunësi i doganës së Korçës kishte falsifikuar dekomentet e shkollës për të fituar vendin e punës.

"Rasti tjetër ka të bëjë me doganën e Korçës, ku një nënpunës ia ka arritur të bëhet pjesë e doganës nëpërmjet dokumentave shkollore të falsifikuara dhe përveç doganierit kemi kallëzuar në Prokuorinë e Korçës dhe një noter publik. Kemi urdhëruar që ndaj noterit të fillojë hetimi disiplinor", shtoi ministri.

Ai tha se rasti i fundit kishte të bënte me ryshfetin në sportel  në Drejtorinë e Transportit Rrugor.

"Rasti i fundit ka të bëjë me Drejtorinë e Transportit Rrugor, ku ne kemi kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës një rast të pastër të ryshfetit në sportel. Përveç nënpunësi është dhe një sekser që njollos veprimtarinë e këtij institucioni model", deklaroi Manja.

Të fundit