Flash News

Ditari i Maxhorancës

Nisja e mësimit plotësues, zv.ministrja Guga: Ka filluar me pritshmëri të mira, ç'do ndodhë me mësuesit e pavaksinuar

Nisja e mësimit plotësues, zv.ministrja Guga: Ka filluar me

Sot nisën orët mësimore plotësuese të cilat do të vijojnë deri më 24 shtator.

Në një lidhje për BalkanWeb, zv.ministrja e Arsimit, Nina Guga ka folur lidhur me mbarëvajtjen e orëve mësimore plotësuese dhe planet që ka ministria më tej për vazhdimin e vitit shkollor.

Zv.ministrja u shpreh se dita e parë e mësimit ka qenë me pjesëmarrje të kënaqshme,kryesisht në dy qytete, Vlorë dhe Fier, të cilat ajo vetë i kishte inspektuar.

“Dita e parë ka filluar normalisht, me pritshmëri të mira dhe konkretisht në dy qytete, Fieri dhe Vlorë që jam aktualisht, konstatuam që ka pjesëmarrje të mirë të nxënësve. Siç dihet është mësim plotësues, por varet prezenca nga vetë nxënësit. Pjesëmarrja ka qenë e mirë”, tha Guga.

Guga tha se mësimi plotësues do të zhvillohet dy deri tre orë në ditë në varësi të programimit të shkollës duke u fokusuar në përsëritjet e mësimeve të klasës që kanë përfunduar.

“Dy deri në tre orë në ditë. Kjo varet nga programimi që shkollat kanë bërë. Ata bëjnë përsëritje të klasës që kanë përfunduar. Nëse ata sot janë në klasën e shtatë, ata do të bëjnë përsëritje me njohuritë e klasës së gjashtë”, është shprehur Guga.

Zv.ministrja tha se mësimi plotësues u vendos të ishte pa detyrim në mënyrë që vlerësimi i nevojës së nxënësve për mangësi, të bëhej nga vetë shkolla.

“Përderisa ne e kishim parashikuar një javë mësimore, me kërkesë të vetë nxënësve, prindërve dhe stafeve mësimore, u gjykua që ardhja në ndihmë e këtyre koncepteve do të ishte mirë me kohëzgjatje më të gjatë. Kjo erdhi si rezultat edhe i diagnostikimit që neve bëmë, por edhe të dy viteve që pasuam procesin mësimor në kushte pandemie. E lamë në kërkesat e tyre këtë gjë. Ka pasur dhe shkolla që e kanë bërë mësimin me kushte optimale. Procesi mësimor s’ka qenë i njëjtë”, ka shtuar zv.ministrja e Arsimit.

Guga pohoi se 80% e mësuesve janë vaksinuar me 1 ose 2 doza. Sa i përket afatit të fundit të vaksinimit për mësuesit, të cilën ministrja e Arsimit Evis Kushi përcaktoi datën 30 shtator, Guga tha se do të vlerësohet situata për ata mësues që nuk e kryejnë vaksinën edhe pas afatit.

“Deri në 80 % të mësuesve janë vaksinuar me 1 ose 2 doza. Ka një pjesë të mësuesve që e kanë kaluar COVID-in dhe janë në proces për të kaluar vaksinimin. Unë edhe njëherë i bëj thirrje mësuesve ta shfrytëzojnë këtë moment, sepse stafet duhet të kenë përgjegjshmëri të lartë. Nëse ndonjë mësuese ka një arsye që nuk e bën, do të merret në konsideratë arsyeja që nuk e bën, por do të jetë në vëzhgim”, është shprehur Guga.

Sa i përket planeve për vazhdimësinë e mësimit, Guga theksoi se vendimet do të merren në funksion të situatës së Covid-19.

“Ne mbajmë komunikim të vazhdueshëm me Komitetin Teknik të Ekspertëve. Kështu që në funksion të dinamizmit, ne do të zbatojmë protokollet dhe në çfarë skenarësh do të kalojë pjesa e mësimit. Ende nuk është vendosur se si do të vijohet me shkollën, do të vijojë online, pjesërisht online apo do të kthehemi në ambientet fizike”, shtoi Guga.

 

Të fundit