Flash News

Ditari i Maxhorancës

Ish-ministri i Ramës paralajmëron qeverinë: Kush shpërfill sinjalet e alarmit, përballet me pasojat e fatkeqësisë

Ish-ministri i Ramës paralajmëron qeverinë: Kush shpërfill

Ish-ministri i Brendshëm në qeverinë Rama, Sandër Lleshaj nuk i ka kursyer kritikat ndaj institucioneve , duke i akuzuar për dështim në mbrojtjen e mjedisit dhe menaxhimin e mbetjeve.

Në një reagim në Facebook, Lleshaj ngre alarmin se ndotja nga Shqipëria po prek jo vetëm brigjet vendase, por ka mbërritur deri në Dubrovnik, duke u bërë shqetësim ndërkombëtar.

Po ashtu, Lleshaj shkruan se sirenat e alarmit që po gjëmojnë nga jashtë duhet të dëgjohen me kujdes pasi siç paralajmeron "ata që nuk dëgjojnë apo shpërfillin sinjalet e alarmit, si rregull, përballen me pasojat e fatkeqësise". 

Postimi nga Lleshaj: 

Alarm nga Dubrovniku

Ndoshta ka ende shumë shqiptarë që nuk u bën përshtypje fakti që plehrat e Shqipërisë përfundojnë në det, pikërisht aty ku plot naivitet besohet se përmes turizmit po ngrihet e ardhmja e vendit. Edhe kur lumenjtë shndërrohen në kanale ujërash të zeza që përfundojnë në plazhe apo kur grumbujt e mbetjeve plastike pushtojnë brigjet dhe detet, as sytë e atyre që paguhen për të parë, as kamerat e „mediave“ të zhytura në banalitet, botoks dhe llucë otomane, nuk arrijnë të shohin asgjë.

Por ajo që këtu nuk shihet ka mbërritur tashmë deri në Dubrovnik! Mediat më të mëdha botërore kanë ngritur alarmin për plehun shqiptar që ndërkohë po qelb edhe Dubrovnikun, njërën nga perlat e turizmit botëror.

Edhe pse kjo gjë është një turp i madh, kurrë nuk është as turp dhe as vonë për të pranuar se jemi në një gjendje katastrofike sa i përket mbrojtjes së mjedisit, që në thelb është mbrojtja e vërtetë e Shqipërisë, dhe se orientimi i përpjekjeve dhe i burimeve kombëtare duhet të zhvendoset nga iluzionet e një turizmi kozmetik të ngritur mbi ujëra të zeza dhe mbi pleh tek investimet themelore në menaxhimin e ujrave të zeza dhe të mbetjeve urbane.

Për sa kohë Tirana, Shkodra, Kukësi, Lezha, Elbasani, Fieri, Gjirokastra, Berati e të gjithë qytetet e tjera të vendit do t'i derdhin në lumë ujrat e zeza, e zezë do të jetë edhe perspektiva e turizmit në Shqipëri. Por jo vetëm.

Për turizëm do të mund të flitet vetëm atëherë kur Drini, Buna, Fani, Mati, Erzeni, Shkumbini, Devolli, Osumi, Semani, Vjosa dhe gjithë lumenjtë e përrenjtë e tjerë të Shqipërisë, nga kanale ujërash të zeza, të rikthehen në lumenj të pastër e të kulluar, ashtu sikur Zoti na i ka falur.

Sirenat e alarmit që po gjëmojnë nga Dubrovniku, Nju Jorku, Uashingtoni apo Vjena duhet të dëgjohen me kujdes edhe këtu. Ata që nuk dëgjojnë apo shpërfillin sinjalet e alarmit, si rregull, përballen me pasojat e fatkeqësise. 

Të fundit