Flash News

Ditari i Maxhorancës

Pas “shuplakave” nga ambasada britanike dhe gjermane, reagon Rama : Balluku nuk akuzohet për korrupsion

Pas “shuplakave” nga ambasada britanike dhe gjermane, reagon Rama :

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën X pas debatit të fortë politik që shoqëroi votimin në Kuvend për kërkesën e SPAK për arrestimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Në reagimin e tij, Rama përshëndet deklaratat e ambasadave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, duke theksuar se është plotësisht dakord me parimet që ato kanë shprehur për sundimin e ligjit dhe pavarësinë e drejtësisë.

Megjithatë, kryeministri thekson se reagimet erdhën në të njëjtën ditë kur Kuvendi refuzoi kërkesën për heqjen e lirisë së një deputeteje, duke argumentuar se sipas mazhorancës nuk ekzistonin kushtet për një hap kaq ekstrem.

“Në mungesë të plotë të kushteve për të ndërmarrë një hap të tillë ekstrem, Kuvendi bëri atë që do të bënte çdo parlament demokratik i Europës”, shkruan Rama.

Sipas tij, shumica qeverisëse mbetet e përqendruar në objektivin strategjik të integrimit europian të vendit deri në vitin 2030 dhe në vazhdimin e reformës në drejtësi.

REAGIMI I PLOTE


Reagimi i ambasadës britanike
Pak para votimit në Kuvend, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë reagoi duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së sistemit gjyqësor.

Në mesazhin e saj, ambasada vlerësoi progresin e Shqipërisë në reformën në drejtësi që nga viti 2016, përfshirë krijimin e SPAK, por nënvizoi se imuniteti parlamentar nuk duhet të shndërrohet në pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit.

“Ndërsa imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike, ai nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit”, thuhet në reagim.

Reagimi i ambasadës gjermane

Edhe Ambasada e Gjermanisë në Tiranë reagoi pas vendimit të Kuvendit, duke theksuar se ndjekja penale efektive e korrupsionit, përfshirë rastet e nivelit të lartë, është një kusht i domosdoshëm për përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Në deklaratën e saj, ambasada thekson se pritshmëria e partnerëve ndërkombëtarë është që procedurat penale të zhvillohen shpejt dhe pa pengesa.

“Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Nga politika shqiptare kërkohet ende që ta garantojë këtë proces”, thuhet në reagim.

Të fundit