Flash News

Ditari i Maxhorancës

PD çoi në SPAK kryebashkiakun e PS, reagon Balla: Nuk më shqetëson, Prokuroria të hetojë deri në fund

PD çoi në SPAK kryebashkiakun e PS, reagon Balla: Nuk më
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla

Vjen reagimi i kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, pasi Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK kreun e bashkisë së Elbasanit, Gledjon Llatja me akuzën për “shpërdorim detyre”.

Sipas Partisë Demokratike,kryetari i Bashkisë Elbasan ka favorizuar kompaninë private, duke falur tokë publike për ndërtimin e kullave në qendër të qytetit.

Në një deklaratë për mediat, Balla thotë se bëhej fjalë për një ndërtesë që duhej hedhur poshtë, pasi vitet kishin bërë punën e tyre dhe nuk mund të rikonstruktohej, ndërsa i bën thirrje Prokurorisë të hetojë deri në fund.

Vetë Sali Berisha është investuar, ku ka firmosur në janar të vitit 2009 edhe studimin, edhe projektin. Ne nuk kemi as mundësi, që të harxhojmë para publike në Elbasan për të ndërtuar zyra, sepse paratë duam t’i harxhojmë për ndërtimin e rrugëve, trotuareve, lojërave, kopshteve për fëmijë. Ishte një ndërtesë që duhej hedhur poshtë, pasi vitet kishin bërë punën e tyre dhe nuk mund të rikonstruktohej. Më vjen keq për PD.

Kjo nuk më shqetëson, se në fund të fundit unë jam nga ata politikanë që i mbështes kërkesat që shkojnë në Prokurori. Jam gjithmonë i parimit se nëse ke një kërkesë duhet ta adresosh. I bëj thirrje Prokurorisë të hetojë dhe në fund të nxjerrë rezultatet.

Gledjan Llatja po bën një punë të shkëlqyer për të vijuar transformimin e Elbasanit. Jam i sigurt që PD do të vijojë me denoncime e baltë, por puna jonë do të vazhdojë. Për gjumë e dini ju kë kemi. Nëse Gaz Bardhi e Lul Basha duan të shpëtojnë nga Sali Berisha, për të mos e futur atë në listë dhe ta bëjnë pjesë të hetimit të SPAK, nuk duhet të lajnë hesapet mes tyre me punët publike të Elbasanit.

Nëse brenda PD ka një luftë mes klanit të Bashës dhe vasalëve të tij me Sali Berishën, këta nuk duhet të lajnë hesapet mes njëri-tjetrit me punët në Elbasan”, tha Balla.

PD bën me dije se kjo padi lidhet me kontratën e partneritetit publik privat që i mundëson kompanisë private “ndërtimin e kullave në lulishten pranë Bashkisë së Elbasanit”.

Kjo e fundit bën me dije se nga zbatimi i kontratës Bashkia po përfiton vetëm 2648 m2 sipërfaqe të re ndërtimi, ndërkohë që duhet të kishte përfituar 14 560 m2. Në këtë mënyrë, institucioni i Bashkisë ka humbur një sipërfaqe prej 11, 912 m2, ose rreth 8.3 milion euro, thuhet më tej në deklaratën e selisë blu.

Të fundit