Flash News

Ditari i Maxhorancës

Peleshi jep informacion për zjarret: Janë shuar 163 vatra, 10 mbeten aktive. Serioze situata në Gjirokastër dhe Kukës

Peleshi jep informacion për zjarret: Janë shuar 163 vatra, 10 mbeten

Nga baza e Pashalimanit, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka dhënë informacion mbi situatën e zjarreve. Ai ka bërë me dije se janë shuar 163 vatra, ndërsa 10 të tjera mbeten aktive.

Për neutralizimin e tyre janë angazhuar 1289 Forca të Armatosura me 146 mjete të FA-së, 143 mjete zjarrfikëse, 1052 forca zjarrfikëse dhe 441 forca të tjera nga emergjencat civile.

MM bën me dije se zjarri në Gadishullin e Karaburunit nuk paraqet rrezik për Parkun Kombëtar të Llogarasë.

Nën kontroll, flakët po mbahen edhe në majën e Runës, Kukës. Sipas Peleshit, flakët janë në drejtim të fshatit Shemri, por pa rrezik pasi është në distancë të largët.

Dy vatra zjarri ndodhen përkatësisht në fshatin Thirrë dhe Munellë në Mirëditë, por situata është nën kontroll. E njëjta gjendje paraqitet edhe në Vermosh.

Ndërsa në Betosh dhe Shëngjergj, Tropojë është bërë i mundur izolimi i flakëve. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Theth.

Zjarri në fshatin Cukal, sipas ministrit, është drejt shuarjes përfundimtare. Flakët në Margegaj, luginën e Valbonës nuk paraqesin rrezik, pasi është zonë shkëmbore.

Peleshi tha për mediat se në Mashkullorë të Gjirokastrës dhe në Kukës vatrat janë të rrezikshme. Ai i ka bërë thirrje policisë që të evakuojë menjëherë  banorët.

Në Mashkullorë të Gjirokastrës kemi çuar një kontingjent me 50 efektivë, sepse kemi një vatër jashtëzakonisht të rrezikshme. Era po i çon flakët drejt fshatit. Bëj thirrje për evakuim. Policia e Shtetit të mos mendohet dy herë për t’i evakuuar banorët.

Vatra më serioze është ajo e Kukësit, ku kemi punuar dhe po punojmë kombinuar nga toka dhe nga ajri. Nuk rrezikon banesa. Është në kontroll, por nga ç’ka në zonën e veriut është më seriozja”, tha Peleshi.

Të fundit