Flash News

Ditari i Maxhorancës

Përfundon takimi me naftëtarët, Rama: U ofrova një marrëveshje, pagat e prapambetura nuk i zgjidh qeveria   

Përfundon takimi me naftëtarët, Rama: U ofrova një

Kryeministri Edi Rama ka përfunduar pas dy orësh takimin me naftëtarët e Ballshit.

Në një prononcim për mediat, Rama thotë se u ka ofruar një marrëveshje, duke i ndihmuar me një shumë financiare jo sa paga e tyre, ndërsa heq përgjegjësinë për pagat e prapambetura, që naftëtarët e kanë cilësuar gjatë gjithë periudhës së grevës si pikën e panegociueshme.

Kemi ardhur me idenë për të qarë një hall që nuk e kemi krijuar ne, kemi detyrimin ta qajmë së bashku dhe duke pasur parasysh se janë gjithë ato familje që kalojnë një moment jo të lehtë.

Çfarë janë çështje që lidhen me marrëdhëniet private s’i takojnë qeverisë. Çështja e këtyre njerëzve na takon ne ta adresojmë me mirëkuptimin e tyre pasi rruga e thjeshtë ligjore do ishte që të drejtoheshin zyrat e punës për të marrë asistencë.

Në këtë rast bëhet fjalë për një grup njerëzish që kanë një përvojë profesionale në një fushë që nuk kemi absolutisht luksin ta zhbëjmë. Për këtë arsye i propozuam që qeveria të marrë përsipër një mbështetje financiare ne kohë për ta, nuk mund të jetë paga e punës së tyre sepse rafineria është e fikur.

Paga e prapambetur nuk është çështja jonë, ka të bëjë me raportin e tyre me kompaninë. Vendimi gjyqësor që flasin lidhet me detyrimet e kompanisë, nuk janë të qeverisë”, tha Rama.

I pyetur nëse është gjendur investitor serioz për rindezjen e motorëve të rafinerisë, Rama thotë se deri tani nuk ka ende një të tillë.

"Sikur ta dija. S’mund ta di pasi nuk kemi një investitor që është i gatshëm të nisë në këtë moment dhe sektor pasi dihet çfarë ndodh me naftën botërisht.

Jemi duke bërë përpjekje, por jemi në pozicion specifik. Bëjmë ndërmjetësin duke kontaktuar jashtë vendit.

Nëse ka një kompani të gatshme për këtë rrugë duhet të shkojë të merret vesh me bankën, se ky set ka mbetur në derë të një banke.

Kjo është ofertë e arsyeshme ne marrim përsipër të paguajmë të rrinë në shpi, duke pasë parasysh se nuk janë grup i zakonshëm punëtorësh. Nuk duam ti humbasim. Një mbështetje financiare e arsyeshme jo sa paga, por as asistencë sociale, diçka e ndërmjetshme.  U thashë që të marrin kohë për konsultim mes tyre dhe të përgjigjen”, u shpreh kryeministri, i cili shmangu detajet kur u pyet nga gazetarët se sa do jetë kjo mbështetje financiare dhe se sa zgjat ajo për ta.

Kjo marrëveshje e ofruar nga qeveria do të diskutohet mes naftëtarëve dhe më pas do të marrin vendimin nëse do ta pranojnë, apo do t’i rikthehet sërish grevës së urisë.

Kujtojmë se gratë naftëtare qëndruan 26 ditë në grevë, duke u përballur me probleme serioze shëndetësore. Madje, të shtunën që kaloi njëra prej tyre tentoi edhe të presë damarët.

Ata kanë protestuar dhe hyrë në grevë urie për 13 pagat e tyre të prapambetura.

Të fundit