Flash News

Ditari i Maxhorancës

Pikat kyçe të fjalimit të Ramës nga Ohri/ Ironia për liderët e BE dhe “ngushëllimi” për MV. Ç’thotë për Kosovën

Pikat kyçe të fjalimit të Ramës nga Ohri/ Ironia për

Në Ohër po zhvillohen punimet e Samitit në kuadër të Open Ballkan. Liderët e vendeve të rajonit, përveç Kosovës, e cila refuzon në mënyrë kategorike të përfshihet, kanë folur rreth kësaj nisme. Ndryshe nga të tjerët, kryeministri Edi Rama mbajti fjalën më të gjatë, duke renditur arsyet pse kjo nismë duhet të zhvillohet dhe mbështetet. Pikat kyçe të fjalimit të Ramës:

Kriza

Referuar luftës në Ukrainë, kryeministri foli për krizën me të cilën po përballet Shqipëria dhe jo vetëm. Ai nuk nguroi të shfaqte raportet e mira me presidentit Aleksandër Vuçiç, duke thënë se Shqipëria nuk do furnizohej me grurë nga Serbia nëse nuk do ishte pjesë e kësaj nisme rajonale. Rama theksoi se kriza energjitike do të thellohet dhe kjo sipas tij, shton nevojën për bashkëpunim rajonal.

“Kontratat e grurit kur filloi lufta në Ukrainë, mes importuesve të grurit në Shqipëri nga Serbia, gjë që e kanë bërë historikisht, jo për shkak të Ballkanit të Hapur dhe që nuk u bllokuan, siç do ishin bllokuar nëse nuk do të ishim në Ballkanin e Hapur. 

Ndërkohë që në horizont është një dimër ku problemi nuk do jetë çmimi i energjisë që do vijojë të rritet, por nuk do ketë fare për të blerë. Kemi luksin për të hapur defterët dhe të merremi me retorikë? Nuk e besoj”, tha Rama.

Çështja Kosovë-Serbi

Rama sërish hodhi poshtë pretendimet se nga kjo nismë përfiton Vuçiçi, duke bërë edhe ironi. Sa i përket përplasjeve Kosovë-Serbi, kryeministri sërish i kërkoi shtetit tjetër shqiptar që të harrojë të shkuarën dhe të shikojë nga e ardhmja, ndërsa “plagët” ende nuk janë mbyllur.

“Kush fiton nga kjo, Aleksandër Vucic që po i merr Shqipërisë detin si ai bajlozi që doli nga uji?! Apo fitojnë ata njerëz që kanë ndërtuar hotele dhe shërbime në bregdet. Mos vallë më mirë të digjen pyjet sesa të na ndihmojë shkjau?

Unë nuk i besoj këtyre. Unë besoj fort se sa më shumë të afrohemi aq më shumë shanse ka për tiu zgjidhur edhe konfliktet. Aq më shumë shanse ka që të bëhet paqja përfundimtare mes Serbisë dhe Kosovës.

Zgjidhja është e thjeshtë, ose kjo mosdakordësi kthehet në një problem permanent, ose e kundërta duhet bërë. Të afrohemi sa më shumë që të kuptojmë sa më shumë njëri-tjetrin dhe që në fund vetë njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm se e ardhmja është më e rëndësishme sesa e shkuara”, tha Rama.

Integrimi

Një tjetër pikë ku u ndal Rama ishte anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Kryemninistri ironizoi liderët e bllokut, duke u munduar të zhvlerësojë rëndësinë që ka integrimi për Shqipërinë.

“Dikur kur shkoja në Bruksel, shkoja që të merrja kurajo nga ata. Tani kur shkoj në Bruksel më duket sikur duhet t’i japë kurajo atyre, sinqerisht. Dikur më dukeshin ata në kulmin e formës, sot sikur më vjen keq kur i shoh atje. Të shkojmë atje, ju japim energji dhe atyre. Ballkani nuk vdes, por Ballkani i Hapur, aq më pak vdes”, tha Rama.

Ky i fundit u shpreh pesimist për çeljen e negociatave në qershor, ndërsa “ngushëlloi” liderët e Maqedonisë së Veriut dhe iu kërkoi të mos shqetësohen për këtë çështje,

“Kështu që i dashur Dhimitër të dashur miq të Maqedonisë së Veriut është koha t’i jepni fund këtij stresi na u hapën s’na u hapën, na erdhën s’na erdhën na duan apo jo. Rëndësi ka që ti bëjmë këtu gjërat e pastaj dhe Bullgaria kur të mërzitet me këtë kukullën do e hedhë, do gjejë kukullën tjetër e do hapen dhe negociatat”, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare.

 

Të fundit