Flash News

Ditari i Maxhorancës

Plani për bujqësinë, Rama tregon penalitetet: Kush tërheq naftën dhe nuk kryen punimet, përjashtohet nga skema

Plani për bujqësinë, Rama tregon penalitetet: Kush tërheq

Kryeministri Rama ka deklaruar se 2021-shin do të ulet çmimi i karburantit do të kemi heqje të akcizës së naftës dhe taksës së qarkullimit për të gjithë fermerët të cilët kërkojnë të punojnë tokën.

Sipas Ramës, të gjithë ata persona të cilët tërheqin naftën dhe nuk kryejnë punimet e deklaruara përjashtohen nga skema për një numër vitesh.

“Gjithçka do jetë online, të dhënat do të grumbullohen në bazë të një protokollit të programuar në një tablet, për të cilën ka filluar puna nga Ministria e Bujqësisë. Ashtu sikundër ministria e Bujqësisë ka disa kohë që po punon për të përfshirë teknologji të reja të monitorimit të mbjelljeve me anë të imazheve termike apo fotografive ajrore dhe natyrisht që të gjithë ata që tërheqin naftën dhe nuk kryejnë punimet e deklaruara përjashtohen nga skema për një numër vitesh.

Duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm, nafta, karburanti për prodhimet bujqësore do të jepet falas, pa akcizë, pa taksën e karbonit, pa taksën e qarkullimit. Kur them do jepet falas duhet të kemi parasysh që sasia kompensuese e çmimit për sasinë e tokës së punuar do jepet nga shteti. Që do të thotë që nuk do të ketë nevojë fare as për merr, rimburso, ço fatura, historira që kanë krijuar problematikën e rëndë të skemës së naftës pa akcizë në të shkuarën dhe që fatkeqësisht e kanë bërë një skemë skandaloze humbjesh, korrupsioni dhe të furnizimit të “Benz”-ave me manjetofonë me zë të lartë në rrugët lidhëse mes fshatrave dhe qyteteve.

Me teknologjinë dhe me këtë skemë ne faktikisht u japim fermerëve mundësinë që të jenë pa asnjë ngarkesë burokratike, drejtpërdrejt, thjesht kanë nipt-in, futen në platformë, bëjnë deklarimin e sasisë së tokës, ka një kalkulim të thjeshtë për litrat e naftës që duhen. Sasia që do të harxhojë për barrën 50% mbi çmimin do jepet falas”, deklaroi Rama.

Të fundit