Flash News

Ditari i Maxhorancës

Presidenti i ri/ PS propozon 67 emra në zarfe të mbyllur

Presidenti i ri/ PS propozon 67 emra në zarfe të mbyllur

Partia Socialiste mblodhi dje grupin parlamentar për të diskutuar mbi procedurat e zgjedhjes së Presidentit të ri. Socialistët propozuan nga tre emra secili, për kandidatët e mundshëm për President.

Votimi i emrave u bë përmes disa zarfeve të mbyllur, ku çdo deputet shkroi nga tre emra dhe e hodhi në kutinë e votimit. Nga hapja e tyre, rezultoi se socialistët kanë propozuar 67 emra të cilët do të shqyrtohen nga tre negociatorët e përcaktuar nga PS në këtë proces: Taulant Balla, Elisa Spiropali dhe Damian Gjiknuri.

Kreu i grupit parlamentar Taulant Balla shpjegoi procedurën për përzgjedhjen e Presidentit të ri. Balla tha se kandidaturën për President mund ta hedhë çdo person i cili mbledh të paktën 20 firma nga deputetët.

“Është një proces që përbëhet nga dy etapa, një është konsultative dhe tjetra kushtetuese. Brenda 7 ditëve nga mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, do të duhet të bëhet raundi i parë i bisedimeve. Për president mund të kandidojë një person që ka mbështetjen jo më pak të 20 deputetëve. Në rast se brenda afateve të përcaktuara pas Konferencës, do të ketë kandidat apo kandidate që do të kenë mbledhur të paktën 20 firma, do të shkojmë te raundi i parë”, tha Balla.

Nga ana tjetër, Rama pati kritika për Presidentin Ilir Meta duke e konsideruar atë si shëmbëlltyrën më të keqe të Kreut të Shtetit që nga viti ’91.

Të fundit