Flash News

Ditari i Maxhorancës

"Provokacija" e Vuçiçit, Bushati: Mos u çudisni! Po strehojmë zëdhënësit që mburren me projektin e copëtimit të Kosovës

"Provokacija" e Vuçiçit, Bushati: Mos u çudisni!

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati ka thumbur politikanët dhe analistët shqiptarë që kanë qenë pro projektit për ndarjen e Kosovë, pas provokimit të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili publikoi në Instagram, një foto ku shfaqej harta e Kosovë e mbuluar me flamurin serb.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bushati deklaron se nuk ka pse të ketë çudi me veprimin e Vuçiçit, pasi hapësira mediatike shqiptare ende strehon zëdhënësit që demonstronin me mburrje risitë e projektit të copëtimit të territorit.

"Mos u çudisni me flamurin serb të vendosur nga Presidenti i Serbisë mbi hartën e Kosovës, përsa kohë hapësira jonë mediatike strehon zëdhënësit që demonstronin me mburrje ‘risitë’ e projektit të copëtimit të Kosovës!" shkruan Bushati. 

Pas shkarkimit nga posti i ministrit të Jashtëm, një ndër arsyet që u aludua në media ishte se Bushati ishte kundër projektit për shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi dhe që prej asaj kohe, ai filloi një përplasje të vazhdueshme me kryeministrin Rama, aq sa për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit u la jashtë liste. 

Një ditë më parë, Vuçiç publikoi në rrjetin social Instagram, një foto ku shfaqej harta e Kosovë e mbuluar me flamurin serb dhe brenda fotos ishte teksti: "Kosova nuk është barra jonë, por kryqi ynë dhe nga kryqi mund të shihni ringjallje".

Ndërsa krahas fotos Vuçiç shkruante: “Serbia sot nuk është e dobët, nuk kërcënon, por nuk harron dhe nuk do të lejojë që 17 Marsi të ndodhë përsëri. Ne kujtuam dhe morëm çdo mësim në të cilin ishim humbës. Ne e dimë se çfarë ka ndodhur dhe ne e quajmë atë me emrin e saj të vërtetë – masakër”.

Publikimi i kësaj fotoje vinte në kuadër të 17 vjetorit të trazirave të marsit 2004, ku mbetën të vdekur 11 shqiptarë dhe tetë serbë ndërsa qindra të tjerë u lënduan. 

Kjo fotografi kontroverse ngjalli shumë debat në opinion publik në Kosovë dhe në rrjetet sociale ka filluar një fushatë për t'i bërë report postimit të presidentit serb.

Të fundit