Flash News

Ditari i Maxhorancës

Qeveria ndalon me ligj muzikën pas mesnatës, bashkitë do të krijojnë hartën e zhurmave; ndëshkime për shkelësit

Qeveria ndalon me ligj muzikën pas mesnatës, bashkitë do të

Në prag të nisjes së sezonit turistik, qeveria i është rikthyer kufizimeve të muzikës pas një orari të caktuar. Lajmin e bëri me dije ministrja për Mjedisin dhe Turizmin, Mirela Kumbaro, e cila shpalli vendimin e qeverisë teksa tha se amendimi i miratuar synon që zhurmat në mjedis të reduktohen.

Kumbaro deklaroi se orari i lejuar për muzikën do të jetë duke filluar nga ora 12:00 e drekës deri në 00:00 të natës. Ministrja tha se do të hartohet një hartë e cila do të saktësojë zonat ku do të lejohet dhe nuk do të lejohet muzika.

Kumbaro tha se ata që shkelin ligjin do të përballen me ndëshkime.

“Miratuam amendimet për zhurmat në mjedis. Edhe një vit më parë, një nga gjërat që kishim më shumë problem ishte ndotja akustike për shkak të muzikës së lartë në lokale e restorante. I dhamë zgjidhje dhe bëmë amendimin në ligjin për zhurmat. Do e miratojmë në Kuvend, do të kemi fashë orare më të kufizuar dhe një pjesë të Policisë së Shtetit që do të kontrollojë ndotjen akustike dhe oraret.

Me hyrje në fuqi të këtij ligji, bashkitë do të përcaktojnë hartën e zhurmave, që do të thotë, do të caktohen zonat që duhet të jenë të qeta dhe ato ku mund të zhvillohen aktivitete. Kjo i jep zgjidhje topit që hidhej sa tek mjedisi, sa tek policia e tek shëndetësia. Fashat orare do të jenë nga ora 12 e drekës deri në 12 të natës. Më pas, në përputhje me hartën, policia do të penalizojë subjektet që nuk respektojnë normat. Jemi munduar të respektojmë dhe hapësirat për jetën e natës”, tha Kumbaro.

Të fundit