Flash News

Ditari i Maxhorancës

Qiratë jashtë kontrollit, Rama “dëbon” studentët nga Tirana: Auditorët në kryeqytet, konviktet në Durrës

Qiratë jashtë kontrollit, Rama “dëbon” studentët

Përballë rritjes së pakontrolluar të qirave në Tiranë, kryeministri Edi Rama ka prezantuar një “zgjidhje” që më shumë se ndihmë për studentët, duket si zhvendosje e problemit jashtë kryeqytetit.

Në një takim me rektorët e universiteteve, Rama njoftoi ndërtimin e një kampusi të ri në Durrës, ku sipas tij do të strehohen edhe studentë që ndjekin studimet në Tiranë. Kreu i qeverisë e paraqiti këtë si një alternativë ndaj çmimeve të larta të qirave, duke u mbështetur te projekti i trenit Tiranë–Durrës, që sipas tij do të vihet së shpejti në funksion.

Por, përtej deklaratave optimiste, vendimi ngre pikëpyetje serioze mbi koston reale që do të paguajnë studentët dhe kohën që do të humbasin çdo ditë.

Udhëtimi i përditshëm mes dy qyteteve nënkupton shpenzime të vazhdueshme për transport, orë të tëra në lëvizje dhe lodhje shtesë, duke e kthyer “zgjidhjen” në një barrë të re.

Në vend që të përballet me tregun e shfrenuar të qirave në Tiranë, qeveria duket se po i largon studentët nga kryeqyteti, duke i detyruar të jetojnë dhjetëra kilometra larg auditorëve. Në këtë mënyrë, rreziku është që studentët të shpenzojnë më shumë për bileta sesa për qira, pa llogaritur koston e kohës së humbur.

“Do të ndërtojmë një kompleks studentor shumë të mirë në Durrës, për të ndihmuar zgjidhjen e një problemi të madh që kanë studentët për shkak të çmimeve të larta të qirave në Tiranë”, u shpreh Rama, duke theksuar se treni do ta bëjë të lehtë lëvizjen mes dy qyteteve.

 

Të fundit