Flash News

Ditari i Maxhorancës

Rama flet për "Open Balkan", mesazhet për politikën kosovare: Shqipërisë s'mund t’i jepen leksione

Rama flet për "Open Balkan", mesazhet për politikën

Kryeministri Edi Rama ka folu për nismën "Open Balkan" dhe qëndrimin e Kosovës në këtë çështje. Rama mohoi pretendimet që janë ngritur për këtë nismë, duke i cilësuar konsiperacione. Ai tha se nuk i interson se çfarë përfiton Serbia, por Kosova dhe Shqipëria.

Sipas tij "Open Balkan" ka në thelb atë çka kërkon "Procesi i Berlinit". Ai shtoi se patjetër që Serbia duhet të kërkojë falje për krimet e luftës.

Gjatë fjalës që mbajti në Kuvend për këtë çështje, Rama i dha disa mesazhe politikës së Kosovës. Ai tha se u takon këtyre të fundit t'i marrin vendimet, ndërsa shtoi se sido të jenë ato, do të respektohen.

Kujtojmë që qeveria e Kosovës ka refuzuar të marrë pjesë në këtë nismë, me argumentin se nuk përkon me interesat e shtetit tjetër shqiptar.

Të njëjtën gjë ai kërkoi nga autoritetet kosovare për vendimet që merr Shqipëria. Rama tha se nëse vendimet nuk i pëlqejnë palëve përkatëse, atëherë duhet ulur për diskutim, duke e cilësuar të papranueshme etiketimin si si tradhtarë, filo-rusë e filo-serbë, për ata që mendojnë ndryshe.

Kryeministri shprehu dëshirën se edhe nëse nuk bie dakord për Ballkanin e Hapur, do që të bashkëpunojë me qeverinë e Kosovës. Duke iu refruar udhëheqësve të Kosovës, ai tha se Shqipërisë nuk mund t’i jepen leksione dhe vendimet sovrane të saj nuk mund të negociohen asgjëkundi.

"Ballkani i Hapur nuk është për të përfituar Serbia. Ballkani i Hapur nuk është konspiracion rus apo kinez për të ringjallur Jugosllavinë. Nuk është një devijim nga integrimi. Të gjitha këto janë përralla me gogol, me një armik të deridjeshëm që Kosova, Shqipëria, e kanë mundur përfundimisht si armik në luftën reale me bombola e me pushkë, falë SHBA e aleatëve më të mëdhenj evropianë.

Foshnjat që lindën në atë luftë dhe që sot po bëhen djem e vajza për t’u martuar, nuk ja kanë borxh politikës që luan luftash me Serbinë as në Prishtinë, as në Tiranë.

Ju takon autoriteteve të Kosovës të marrin vendimin, ndërsa neve na takon thjesht t’i respektojmë. Ama, për Shqipërinë vendosin autoritetet e Shqipërisë dhe ata duhet t’i respektojnë vendimet tona. Nëse nuk na pëlqejnë vendimet, duhet t’i diskutojmë, por kurrë t’i shpallim si tradhtarë, filo-rusë e filo-serbë, ata që mendojnë ndryshe, duke luajtur me padije. Ballkani i Hapur është pjellë e procesit të Berlinit.

Ballkani i Hapur nuk merr përsipër asgjë jashtë procesit të Berlinit dhe nëse dikush del e thotë është kjo gjëja këtu, hajde ta diskutojmë. Ta nxjerrim vetë gomarin nga balta pa pritur të na ikë dhe një 10-vjecar, duke shprehur që do vijnë të tjerët t’i tërheqin litarët për ne nga Berlini e Parisi, ndërkohë që ne rrimë e thurim tym me njëri-tjetrin.

Ku është tradhtia këtu, ku është konspiracioni, ku është asimilimi, ku është dreqi këtu? Apo do të përfitojë Serbia këtu se është më e madhe? Neve nuk na intereson fare çfarë përfiton Serbia, po sa përfiton Shqipëria dhe Kosova. Shqiptarët së bashku bëjnë që serbët janë vetëm njëri nga dy kombet e mëdhenj.

A duhet të kërkojë falje Serbia për krimet e luftës? Po, nuk e luan topi. Pa u vënë aty kërkesa për falje dhe pastaj falja, nuk mbyllet kurrë saga e këtij konflikti. Por si arrihet kjo? Duke u izoluar apo duke u hapur, duke u afruar, duke rënë dakord për gjëra që janë në dobi të mirëqenies ekonomike e sociale.

Nëse nuk paraqitet si popull i përkushtuar ndaj paqes, populli shqiptar është i destinuar të humbasë. Me rrugën e lehtë të luftës imagjinare, me facebook, kolltuk, ekrane, ka vetëm rrënim dhe izolim, këtë di të them unë. Megjithatë, biem apo jo dakord për Ballkanin e Hapur, dua që të bashkëpunojmë ngushtësisht me qeverinë e Kosovës. Shqipërisë nuk mund t’i jepen leksione dhe vendimet sovrane të Shqipërisë nuk mund të negociohen asgjëkundi! Koha do ta tregojë se kush ka të drejtë. Të merremi me punë konkrete në dobi të njerëzve dhe të jemi të angazhuar", u shpreh Rama.

Të fundit