Flash News

Ditari i Maxhorancës

Rama kërkon drejtësi europiane, por sulmon institucionet që hetojnë të tijtë

Rama kërkon drejtësi europiane, por sulmon institucionet që

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me asambletë socialiste në Tiranë, ku një pjesë e madhe e fjalës së tij iu kushtua drejtësisë dhe reformës që ai pretendon se ka iniciuar për të ndërtuar institucione të pavarura. Megjithatë, mes mesazheve për pavarësi dhe profesionalizëm, nuk munguan as sulmet ndaj prokurorisë dhe kundërshtarëve politikë.

Duke komentuar arrestimin e Erion Veliajt, Rama deklaroi se qëllimi i reformës në drejtësi ka qenë edhe ndëshkimi i atyre që abuzojnë me pushtetin brenda Partisë Socialiste. "Ne duam drejtësi europiane, jo si në Rusi," tha ai, duke theksuar se drejtësia duhet të bazohet në prova dhe jo në perceptime politike.

Në të njëjtën kohë, ai vuri në dyshim disa praktika të institucioneve të reja, duke folur kundër "drejtësisë me paraburgim pa gjyq" dhe duke theksuar se barra e provës bie mbi ata që akuzojnë, jo mbi ata që akuzohen. Ky qëndrim vjen në një moment kur SPAK dhe institucionet e reja të drejtësisë kanë nisur hetime të shumta për korrupsion në nivele të larta të administratës.

“Ne jemi partia politike dhe e para forcë me pushtet që i kemi hequr pushtetit politik duart nga drejtësia sepse kemi dashur që Shqipëria të futet në sprovën e një drejtësie të pavarur dhe të kemi një drejtësi të pavarur që të luftojë me hajdutët edhe brenda nesh. Qëllimi jonë nuk ka qenë si të mbajmë pushtetin dhe të mbulojmë njëri-tjetrin të njëjtën histori. Qëllimi jonë që të bëjmë histori duke e bërë Shqipërinë anëtare në BE dhe duke i dhënë shans brezave që vijnë mbrapa një drejtësi të pavarur. Ne 5 vjet, unë i pari dhe të gjithë të tjerët kemi shtrënguar dhëmbët sepse pavarësia ka qenë kryesorja. Ama nuk është vetëm pavarësia, është edhe profesionalizmi. Ne duam drejtësi europiane, jo si në Rusi”, – deklaroi Rama.

Më tej, Rama deklaroi se nuk duan drejtësi me paraburgim pa gjyq. Ai tha se drejtësia nuk është vetëm shpata duke iu referuar Prokurorisë, por edhe peshorja, duke iu referuar Gjykatave. Rama tha se drejtësia duhet të jetë e verbër që të mos shohë se kush është më i gjatë dhe kush është më i shkurtër, kush është akuzuesi apo i akuzuari.

“Nuk duam drejtësi me paraburgim pa gjyq. Kjo është një betejë që e kemi barrë ta bëjmë. Duke garantuar pavarësinë dhe paprekshmërinë e institucioneve të reja të drejtësisë. Një parti si e jona që në 2 mandate ka qeverisur e vetme, që i thotë drejtësisë “ja ku më ke dhe ha trupin tim”, rëndësi që të gjitha të jenë të barabartë para ligjit dhe sikur të kafshosh gabimisht. Kafshimet gabim të drejtësisë janë tragjedi. Megjithatë nuk ka rrugë tjetër. Barra e provës i takon atij që akuzon dhe jo atij që akuzohet dhe parimi është që të gjithë janë të pafajshëm derisa provohet dikush i fajshëm.

Nuk është parimi të gjithë janë të fajshëm dhe hajde të provoj se janë të pafajshëm se këtu është bërë “të gjithë janë hajdutë e kriminelë” sepse nuk kanë asnjë mënyrë tjetër për të na mundur. Sot ulërasin lloj-lloj speciesh kënetash që “ne po kërcënojmë SPAK-un” dhe bufi i kënetës vazhdon çon denoncime tek SPAK. Nëse drejtësia është shpatë dhe tek shpata, rolin kryesor e ka prokuroria, por drejtësia nuk është vetëm shpatë, është edhe peshore. Kjo zonja e drejtësisë sytë i ka të fashuar sepse duhet të jetë e verbër drejtësia, në kuptimin që nuk duhet të shohë se kush është më i gjatë dhe kush është më i shkurtër, kush është akuzuesi apo i akuzuari. Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe në peshore vihen provat. Shpatën sot drejtësia e ka se ia dhamë”, tha Rama.

Të fundit