Flash News

Ditari i Maxhorancës

Rama: Me Kurtin kam marrëdhënie miqësore, por dallime politike të pashmangshme

Rama: Me Kurtin kam marrëdhënie miqësore, por dallime politike

Kryeministri Edi Rama ka folur për raportet e tij me homologun e Kosovës, Albin Kurti, gjatë një interviste për Deutsche Welle. Ai theksoi se marrëdhënia e tyre personale mbetet shumë e mirë, por në planin politik ekzistojnë dallime të natyrshme në qëndrime dhe këndvështrime.

“Me Albinin kam një marrëdhënie shumë miqësore në aspektin personal, por kemi dallime të pashmangshme në këndvështrime, dhe këto dallime i ndajmë në mënyrë të hapur dhe të drejtpërdrejtë,” u shpreh Rama.

Shefi i qeverisë shqiptare vuri në dukje se pavarësisht dallimeve politike, bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve ka njohur përparim të dukshëm në disa fusha, duke përfshirë edhe projektet madhore infrastrukturore.

“Në të gjitha aspektet e bashkëpunimit me Kosovën kemi bërë goxha përparim dhe po punojmë së bashku për një vepër madhore siç është hekurudha Durrës–Prishtinë,” shtoi Rama.

I ndalur te çështja e dialogut Kosovë–Serbi, Kryeministri shqiptar u shpreh se Kosova duhet të ndjekë një qasje më të pavarur dhe të mos e kushtëzojë progresin e saj me qëndrimin e Serbisë.

“Sipas meje, Kosova duhet ta harrojë krejt Serbinë, në kuptimin që duhet të përmbushë në mënyrë unilaterale të gjitha kërkesat e dialogut dhe t’ia lërë topin në derë Serbisë. Pastaj t’i tregojë Evropës se ajo ka bërë pjesën e saj dhe përgjegjësia për veprimet e mëtejshme i mbetet Beogradit,” tha Rama.

Sipas tij, Prishtina duhet të shkëputet përfundimisht nga ndikimi dhe narrativa e vazhdueshme përballë Serbisë, duke ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme e të pavarura me partnerët perëndimorë.

Të fundit