Flash News

Ditari i Maxhorancës

Rama në Samitin e Demokracisë: Të angazhuar për një sistem të ri drejtësie në shërbim të njerëzve

Rama në Samitin e Demokracisë: Të angazhuar për një

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot i pranishëm në Samitin e Demokracisë të zhvilluar nga presidenti amerikan Joe Biden. Në fjalën e tij, kryeministri Rama nënvizoi mbështetjen dhe miqësinë e SHBA-së, në forcimin e shtetit të së drejtës dhe qëndrueshmërinë e institucioneve në Shqipëri.

"Në këtë rrugëtim, miqësia dhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë jetike për të çuar përpara aspiratat demokratike, për të forcuar shtetin e së drejtës dhe qëndrueshmërinë e institucioneve tona. Katër vjet më parë, qeveria shqiptare nisi një prej reformave më të thella e gjithëpërfshirëse nga të gjitha vendet ish-komuniste, reformën në sistemin e drejtësisë. Në këtë proces, në bashkëpunim të ngushtë me ShBA-në, BE-në dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, ne po e pastrojmë sistemin tonë gjyqësor nga mbi 70% e gjyqtarëve dhe prokurorëve të tij e, tashmë, jemi në proces rindërtimi të institucioneve gjyqësore, sipas modelit të demokracive të konsoliduara", tha Rama.

Rama theksoi vendosmërinë e Shqipërisë për të ecur përpara me reformën në drejtësi, dhe njëherazi në luftën kundër korrupsionit.

"Ne jemi plotësisht të angazhuar për vazhdimin me sukses të reformës në drejtësi, në mënyrë që një sistem i ri drejtësie, i paanshëm dhe i pavarur nga pushteti ekzekutiv e legjislativ, të bëhet plotësisht funksional e të jetë në shërbim të njerëzve. Në të njëjtën kohë, jemi plotësisht të angazhuar të luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjitha nivelet. Duke u mbështetur te sukseset ekzistuese në fushën e digjitalizimit të shërbimeve publike, ne po investojmë në shërbime elektronike, me synim që të mbyllim hapësirat ende të ekspozuara ndaj korrupsionit dhe për të siguruar mirëqeverisje dhe transparencë për të gjitha proceset qeverisëse", u shpreh Rama.

Kryeministri i mëshoi çështjes së anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se integrimi do t'i japë shtysë konsolidimit të institucioneve demokratike.

"Për këtë arsye, negociatat për anëtarësim në BE do të ndihmojnë për konsolidimin e institucioneve demokratike, për mbrojtjen e të drejtave themelore dhe thellimin e sundimit të ligjit. Së fundi, ashtu si demokracisë i duhen demokratë, ashtu edhe paqes së qëndrueshme i duhen demokraci të forta. Vetëm përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rajonal do të mundemi të parandalojmë konfliktet dhe të sjellim paqen. Qasja e fortë shumëpalëshe e Shqipërisë u dëshmua gjatë krizës së COVID-it dhe, së fundi, gjatë krizës afgane, kur shfaqëm gatishmërinë dhe vendosëm të mirëprisnim mijëra të evakuuar. Përmes kësaj që bëmë, nderuam angazhimin tonë si aleatë të NATO-s dhe si një forcë e së mirës mes kombeve. Ndërkohë që Shqipëria merr mandatin si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022-2023, ne mbështetemi te përkrahja dhe angazhimi juaj ndaj qasjes shumëpalëshe, për të bërë të mundur që OKB-ja të funksionojë më mirë dhe të gjejë zgjidhje praktike, por të qëndrueshme për paqen", përfundoi Rama.

Të fundit