Flash News

Ditari i Maxhorancës

Rama nuk i ndahet Rai-t: Censuruan Agaçin, episod i neveritshëm

Rama nuk i ndahet Rai-t: Censuruan Agaçin, episod i neveritshëm

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish gazetarin italian Sigfrido Ranucci i cili publikoi investigimin për Shqipërinë në emisionin e tij “Report”.

Në një intervistë për “Corriere della Serra”, Rama nuk është tërhequr nga epiteti “i neveritshëm” që i vendosi episodit ku u publikuan fakte mbi Engjëll Agaçin dhe Olsi Ramën.

I pyetur nëse e sheh të drejtë ndërhyrjen e tij në televizionin shtetëror të një vendi tjetër, Rama pretendoi se nuk kishte qëllim t’i impononte Rai-t, por të mbronte Shqipërinë.

“Para se të fajësojnë natyrën e fjalës sime, miqtë e mi të dashur në opozitën në Itali duhet të interesohen për shkaqet dhe të përpiqen të kuptojnë se dinjiteti dhe transparenca janë të rëndësishme si kur flitet për shërbimin publik italian dhe kur bëhet fjalë për Institucionet publike shqiptare dhe personat që i përfaqësojnë ato. Unë nuk kam as mjete dhe as qëllim që të imponoj diçka në punët e brendshme të vendit tuaj. Megjithatë, unë kam për detyrë të mbroj timin nga stereotipi i tmerrshëm i një epoke tjetër, të krijuar nga mediat në Itali për Shqipërinë dhe shqiptarët”, ka thënë ai.

Sa i përket Engjëll Agaçit, i cili u etiketua nga “Report” si ish avokati i narkotrafikantëve dhe kriminelëve, Rama e quajti një furi të paarsyeshme dhe pretendoi se përgjigjet e Agaçit ishin censuruar.

“Ka pasur një furi të paarsyeshme ndaj Agacit. Përtej dëmit tallja. Pasi censuruan pyetjen e kryqëzuar të kërkuar nga programi nga sekretari i përgjithshëm dhe i pranuar prej tij, pasi ai u përgjigj me email, ata vazhduan ta akuzonin se nuk kishte pranuar të përgjigjej. Ishte një zhabë shumë i madh për t'u gëlltitur në heshtje”, është shprehur Rama.

Të fundit