Flash News

Ditari i Maxhorancës

Rama për ‘La Repubblica’: Opozita në vend që të reflektojë pas 5 humbjesh, hedh akuza kundër nesh

Rama për ‘La Repubblica’: Opozita në vend që të

"Janë zgjedhjet e pesta radhazi dhe ata ende nuk arrijnë të kuptojnë. Në vend që të reflektojnë mbi veten e tyre, ata përqendrohen në akuza kundër nesh." Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama në intervistë për gazetën e njohur italiane ”La Repubblica” lidhur me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. 

Sipas Ramës, ky qëndrimi i opozitës bën që ajo të humbë zgjedhje pas zgjedhjesh. I pyetur nëse do të qeverisë bashkë me socialdemokratët e Tom Doshit, Rama tha se nuk ka nevojë për mbështetjen e askujt.

Ka stërfituar. A do të qeverisë me mbështetjen e socialdemokratëve të Tom Doshit, i regjistruar në listën e zezë të SHBA-së për korrupsion?

”Hera e tretë ishte më e vështira, por është edhe më e bukura. Ne kemi fituar një shumicë absolute, kështu që nuk kemi nevojë për mbështetje. Ndoshta mund të kishim një diferencë më të madhe, por këtë herë Shqipëria votoi me një sistem të ri zgjedhor, me lista dhe preferenca gjysmë të hapura dhe kishte shumë vota të pavlefshme. Shumë njerëz nuk kuptuan se si të votonin, ata na zgjodhën ne si parti, por u dhanë përparësi kandidatëve të tjerë dhe vota iu quajt e pavlefshme”, thotë Rama.

Opozita ju akuzon për mashtrim dhe shitblerje të votave.

”Këtë herë kemi pasur katër ose pesë sondazhe dhe ndryshe nga e kaluara, të gjitha ishin në përputhje me rezultatin. ”Piepoli” ia qëlloi tamam, por dhe anketuesit grekë që punuan për Euronews Albania patën paralajmëruar rezultatin. Raporti paraprak i OSBE-së është pozitiv dhe e gjithë bashkësia ndërkombëtare përmes përfaqësimeve të ndryshme ka ndjekur dhe konfirmuar rregullsinë e zgjedhjeve. Fatkeqësisht, opozita nuk është në gjendje të dalë nga ky qëndrim, që e bën që ajo të humbë zgjedhje pas zgjedhjesh. Janë zgjedhjet e pesta radhazi dhe ata ende nuk arrijnë të kuptojnë: Në vend që të reflektojnë mbi veten e tyre, ata përqendrohen në konfrontim dhe akuza kundër nesh dhe përsëri humbin. Sidoqoftë, këto zgjedhje japin një mesazh: kur e majta moderne është e organizuar mirë, është po aq e pamposhtur sa Interi i Mourinhos”, shprehet Rama.

Burimi: La Repubblica

Të fundit