Flash News

Ditari i Maxhorancës

Rama premton "integrim të shpejtë"... me Ballukun si timonier

Mazhoranca mbrojti ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke penguar SPAK të procedojë me arrestimin, ndërkohë që BE paralajmëron se korrupsioni i nivelit të lartë dhe ndërhyrjet politike mund të vonojnë integrimin e Shqipërisë.

Rama premton "integrim të shpejtë"... me Ballukun si

Edhe pse Edi Rama këmbëngul se Shqipëria duhet të ecë “pa humbur asnjë afat” me Komisionin Europian, Brukseli paralajmëron se realiteti politik brenda vendit e pengon progresin drejt BE-së.

Gjatë një konference me kryenegociatoren Majlinda Dhuka, kryeministri tha se Shqipëria duhet të ecë drejt integrimit pa humbur asnjë afat, por harroi se Brukseli e ka ngushtuar ‘lakun’ për të.

“Është me rëndësi për të pasur parasysh gjithë hapat e mëtejshëm, sidomos kalendarin, pasi në bazë të planit të përbashkët me Komisionin Europian, na duhet të ecim pa humbur asnjë afat. Dhe nga ana tjetër prezantimi do të vazhdojë edhe me planin e rritjes që është i lidhur me reformat dhe masat që duhen përmbushur”, tha Rama.

Një pikë kritike për BE-në është dështimi i Kuvendit për t’i hequr imunitetin ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Parlamenti Evropian e cilësoi imunitetin e Ballukut një “test kritik” për angazhimin e vendit në luftën ndaj korrupsionit, por përpos paralajmërimeve nga unioni, mazhoranca u bë mburojë për Ballukun duke penguar SPAK të procedojë me arrestimin e saj.

Vendimi i PS po i kushton shtrenjtë integrimit të Shqipërisë. Kapitujt kyç të IBAR, raporti i cili i hap rrugë mbylljes së kapitujve të negociatave, ka ngecur dhe diplomatët e shteteve anëtare të BE-së kanë deklaruar se “presin që politika të mos pengojë sundimin e ligjit.”

Po ashtu, institucionet europiane dhe grupimi më i madh politik në Parlamentin Europian (PPE) kanë përsëritur se progresi i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian është i ndjeshëm dhe i lidhur ngushtë me zbatimin e reformave thelbësore, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, lirisë së medias dhe mbrojtjes së institucioneve demokratike

Raporti i Parlamentit Europian pas vizitës së delegacionit në Tiranë thekson se “zgjerimi mbetet i bazuar në meritë dhe varet nga reformat e qëndrueshme. Vëmendja iu kushtua polarizimit të vazhdueshëm politik, si dhe hetimeve të korrupsionit në nivel të lartë dhe rrezikut të ndërhyrjes politike në procedurat gjyqësore.”

Edhe pse Rama kërkon ecje pa humbur asnjë afat, realiteti politik brenda vendit tregon se mbrojtja politike e individëve të nivelit të lartë pengon përparimin. Ky kontrast me pritshmëritë e Brukselit vendos Shqipërinë në një fazë kritike të integrimit, ku çdo vonesë ose ndërhyrje politike mund të vonojë hapjen e kapitujve të negociatave.

Të fundit