Flash News

Ditari i Maxhorancës

Rama pret Varhelyi: Zëri i arsyes që Ballkani Perëndimor të mos mbetej jashtë skemës së shpërndarjes së vaksinave

Rama pret Varhelyi: Zëri i arsyes që Ballkani Perëndimor të
Oliver Varhelyi dhe Edi Rama

Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi ka mbërritur në Shqipëri. Ai zhvilloi një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama në aeroportin e Rinasit.

Kryeministri foli për ndihmën e BE-së për përballimin e pandemisë. Rama tha se janë afro 1 milionë euro që Shqipëria do të marrë nga Bashkimi Europian.  Ai falenderoi komisionerin Varhelyi, teksa e quajti atë si zërin e arsyes në Komisionin Evropian për të mos lënë jashtë Ballkanin Perëndimor në skemën e shpërndarjes së vaksinave anti-Covid.

“Sapo kemi përfunduar një takim shumë miqësor me komisionerin Varhelyi, i cili edhe njëherë tjetër ka provuar përkushtimin dhe mbështetjen jo vetëm për vendin tonë, por për të gjitha vendet e rajonit, duke qenë qysh në krye të herës zëri i arsyes në KE për të mos e lënë jashtë Ballkanin Perëndimor nga skema e shpërndarjes së vaksinave dhe ka arritur ta materializojë një punë të tij disa mujore, duke përcaktuar 651 mijë doza të vaksinës Pfizer të shpërndara proporcionalisht për vendet e rajonit.

Janë afro 1 milion euro që i takojnë Shqipërisë. PO ashtu, Komisioni ka miratuar edhe propozimin e paketës së asistencës makro-financiare në mbështetje të Ballkanit Perëndimore, duke dislokuar një shumë të parë prej 90 milionë eurosh. Shuma totale prej 2.2 miliardë euro e BE do të kontribuojë edhe për lëvrimin e vaksinave për rajonin, ndërkohë që tanimë kanë mbërritur në Shqipëri dozat e para dhe deri në gusht Shqipëria do të marrë të gjithë pjesën e saj të akorduar të vaksinave.

Me komisionerin kemi diskutuar edhe për vazhdimësinë e planit të madh të investimeve, për Ballkanin Perëndimor, ku Shqipëria bën pjesë si aktore në këtë proces dhe jemi shumë optimistë që tanimë shumë gjëra janë vënë në vijë dhe projektet e mëdha do fillojnë të lëvizin në drejtimin e duhur me financimet e para”, tha Rama. 

Të fundit