Flash News

Ditari i Maxhorancës

Rama prezanton projektbuxhetin për 2022-in: Zerojmë taksat mbi pagat dhe i rrisim për disa kategori

Rama prezanton projektbuxhetin për 2022-in: Zerojmë taksat mbi pagat

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar projektligjin për buxhetin e vitit 2022. Ai renditi heqjen e lehtësimin e taksave mbi pagat, rritjen e rrogave për mjekët, rritjen e ndihmës sociale për disa kategori, etj, duke nënvizuar se pasojat e tërmetit po mbyllen dhe të pandemisë janë duke u trajtuar.

Ai shtoi se për sigurimin e vaksinave anti-Covid do të vihen në përdorim 27 milionë dollarë, ndërsa për vijimin e Reformës në Drejtësi do të alokohen 8.4 milionë dollarë.

"Plagët e tërmetit po mbyllen dhe ato të pandemisë po trajtohen. Zerojmë taksën mbi pagat deri në 40 mijë lekë. Përgjysojmë taksën mbi pagat nga 40 mijë deri në 50 mijë. Lehtësojmë taksën mbi pagën që marrin nga 1.5 deri në 2 milionë lekë të vjetra.

Rrisim pagat për mësuesit dhe mjekët me 6%, rrisim pagat me 150% për punonjësit e policisë që punojnë jashtë vendbanimit. Rrisim pagën me 30% për Forcat e Armatosura, nuk rrisim asnjë taksë, dyfishojmë ndihmën ekonomike për 15 mijë familje që kanë tre apo më shumë fëmijë nën 18-vjeç.

Financojmë vijimin e vaksinimit me 27 milionë dollarë. Për herë të parë fillojmë dhe me programet kombëtare të arteve dhe zejeve, dhe teknologjinë me një financim të posaçëm në Buxhetin e Shtetit.

Pastaj vazhdojmë nga sektori në sektor, ku Reforma në Drejtësi do të ketë 8.4 milionë dollarë. Jemi në një fazë të rëndësishme, ku vijon nga njëra anë pastrimi i llumit, dhe nga ana tjetër krijimi i institucioneve. Dua të them që duhet dhe më shumë durim për të gjithë ata që presin rezultate nga Reforma në Drejtësi", tha Rama.

Të fundit