Flash News

Ditari i Maxhorancës

"Nuk të mbaj as unë, as PS", Rama mesazh Veliajt?

"Nuk të mbaj as unë, as PS", Rama mesazh Veliajt?

Në pritje të nisjes së protestës së opozitës, duket se Rama i ka dhënë një mesazh të qartë kryebashkiakut Erion Veliaj, pas skandalit korruptiv “5D”.

Teksa foli në mbledhjen e grupit, Rama deklaroi se PS nuk do të bëhet avokat i asnjë drejtori apo kryebashkiaku, dhe se kushdo që thirret nga drejtësia, duhet të përballet me të vërtetën.

“Ua kam thënë jo njëherë disa këtu dhe ndonjërit që s’është më këtu se zgjodhi të bënte një rrugë e dy punë, po e kam thënë publikisht në të gjitha forumet e partisë, mos e ngatërroni punën e përbashkët dhe shoqërinë që na lidh privilegji me asnjë dërrasë të kalbur. Prandaj nuk jam unë dhe PS-ja që e lëshon kur i dridhet toka nën këmbë. Por, është ai që e ka lëshuar PS-në edhe mua.

Por nuk mbaj asnjë burrë me para të vjedhura në karrige kur vjen ora të thirret. Jo po nuk kam bërë asgjë, po më bien në qafë. Nëse nuk ke bërë asgjë nuk të mbaj as unë as PS, por e vërteta. Prandaj lufto për të vërtetën tënde. Sepse kjo parti dhe kjo qeveri nuk bëjnë asnjë koment për çështjet që hap SPAK. Jo më avokatin e një drejtori, kryebashkiaku, ministri, deputeti apo ish ministri”, tha Rama.

Në përpjekje për të mohuar të vërtetën e arrestimit, hetimit apo dënimit të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve socialistë, ministra dhe kryebashkiakë, Rama ka deklaruar se nuk janë larguar për shkak të hetimeve të nisura nga SPAK.

Sipas Ramës, ka qenë ai i cili i ka larguar nga detyra për të korrigjuar shfrytëzimin e pushtetit me qëllim rrënjosjen e korrupsionit.

“Në 40 e ca ministra që kam punuar në qeveri të drejtuar prej meje. Ai grusht ministrash që kanë sot lidhje me marrje nën hetim, akuza të ngritura, dënime nuk janë larguar nga SPAK por janë larguar njëherë nga unë për të korrigjuar shënjestrat e punës. Por t’i bësh sot pis të gjithë, t’i quash sot të gjithë hajdutë duke i marrë disa shembuj të drejtësisë që jemi ne që krijuam kushtet që ata shembuj të krijohen, si argument për të përbaltur një punë kolosale, rezultate të gjithë pranuara, progresin për të cilin kanë kontribuar pikërisht qeveritë tona duke e çuar Shqipërinë te dera e BE, është një histeri e denjë për studime neuropsikologjike. E nëse të gjithë ministrat kanë lëvizur për të dinamizuar punën në raport me korrupsionin, unë nuk kam qenë ndonjëherë mbulesë, nuk jam mburojë e asnjërit. E kundërta ka qenë dhe mbetet e vërtetë dhe provat janë publike. Vija mes funksionit tim dhe drejtësisë është e kuqe, e pakapërcyeshme”, deklaroi Rama.

Të fundit