Flash News

Ditari i Maxhorancës

Takime “zinxhir” në Vilën 30, drafti për referendumet çon Ballën dhe ministrat përballë Ramës

Takime “zinxhir” në Vilën 30, drafti për referendumet

Një ditë pas prezantimit të draftit për referendumet, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim në Vilën 30 me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe zv/kryeministrja Albana Koçiu, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, si dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili.

Po gjatë ditës së sotme, Rama do kete një tjetër takim në Vilën 30 me ministren e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, si dhe drejtues të institucioneve të varësisë, mes tyre edhe kreu i AKSHI-t, Igli Tafa.

Takimet vijnë në një moment kur mazhoranca po përgatit draftin për ligjin e referendumeve, i cili parashikon tre lloje referendumesh: kushtetuese, të përgjithshme dhe vendore.

Referendumet e përgjithshme, që i drejtohen të gjithë votuesve në vend, përfshijnë ato për shfuqizimin e një ligji, ratifikimin e një ligji të rëndësisë së veçantë, si dhe referendumet për çështje të caktuara me rëndësi të veçantë. Dy kategoritë e para janë vendimmarrëse, ndërsa referendumet konsultative kanë karakter këshillimor dhe nuk janë detyruese për institucionet.

Sipas draftit, ndryshimet kushtetuese që i nënshtrohen referendumit miratohen vetëm nëse në votim marrin pjesë më shumë se gjysma e qytetarëve me të drejtë vote dhe shumica e tyre votojnë “pro”.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, bëri të ditur se drafti është tashmë gati dhe do t’i nënshtrohet një procesi të gjerë konsultimi publik përpara se të depozitohet në Kuvend.

Në një konferencë për mediat, Balla theksoi se procesi do të jetë gjithëpërfshirës, duke përfshirë tryeza me juristë, profesorë, studentë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, me synimin për të ndërtuar një projekt sa më të konsoliduar.

Ai nënvizoi gjithashtu se Kushtetuta e Shqipërisë përcakton qartë procedurat për zhvillimin e referendumeve, përfshirë edhe mundësinë që përmes tyre të miratohen amendamente kushtetuese.

Një tjetër ide e hedhur për diskutim është që referendumet të zhvillohen në të njëjtën ditë me zgjedhjet, vendore apo parlamentare, për të reduktuar kostot. Megjithatë, sipas Ballës, kjo mbetet një çështje e hapur për debat.

Përpara se draftin ta depozitojmë në Kuvend, do t’ia nënshtrojmë një procesi të gjerë konsultimi, në mënyrë që edhe gjatë shqyrtimit parlamentar të kemi një projekt të maturuar dhe të dakordësuar sa më gjerë”, u shpreh Balla.

Të fundit