Flash News

Ditari i Maxhorancës

Rama ultimatum të ri për bizneset: 7 ditë afat, hiqni rraqet buzë rrugës!

Rama ultimatum të ri për bizneset: 7 ditë afat, hiqni rraqet

Pasi shkarkoi të gjithë drejtorët, prishi objekte e lokale, kryeministri Edi Rama ka ardhur me një ultimatum të ri.

Kreu i qeverisë ka urdhëruar të gjitha bizneset që mbajnë materialet e tyre buzë rrugës ti heqin deri në fund të këtij muaji.

Në një reagim në rrjete sociale, Rama thotë se afati i fundit është deri më 31 korrik për të larguar çdo lloj materiali që ndodhet më pak se 20 m nga aksi i rrugës.

Ai shton se të gjitha bizneset që nuk e zbatojnë këtë urdhër brenda afatit të paralajmëruar do të kenë masa të rënda ndëshkimore.

Reagimi i Ramës:

“Ka nisur edhe përpjekja për çlirimin e buzërrugëve kombëtare nga rraqet e llojllojshme të bizneseve anë rrugës.

Bizneset në anë të segmenteve rrugore kanë afat deri në 31 korrik për të larguar vetë çdo lloj materiali që ndodhet më pak se 20 m nga aksi i rrugës, që është edhe distanca ligjore e sigurisë – përjashtuar objektet e ndërtuara me leje, po jo materialet në oborret e tyre të përparme, gardhet e të cilëve po ashtu do të duhet të tërhiqen në maksimumin e mundshëm, sipas projektit që do t’u dorëzohet më tutje nga ARRSH.

Mbajtja buzë rrugëve e rraqeve si këto në foto apo të tjera, nga materialet ndërtimore tek inertet dhe makinat e vjetra e me radhë, përtej afatit të paralajmëruar do të shoqërohet me masa të rënda ndëshkimore sipas parashikimeve ligjore në fuqi.

Tanimë Shqipëria po troket në derën e Bashkimit Europian dhe kjo fazë kalimtare e ushtrimit të aktivitetit ekonomik në dëm të komunitetit e të mjedisit në tërësi, po edhe të sigurisë së qarkullimit në rrugët kombëtare në veçanti, duhet të konsiderohet e mbyllur. Nga të gjithë dhe me mirëkuptimin më të madh kombëtar, për Shqipërinë 2030 në BE”.

Të fundit