Flash News

Ditari i Maxhorancës

Reagimet e para nga drejtuesit e rinj, Nikolla: Do punoj me përkushtim, Bushati: Shpresoj të vazhdoj kontributin në PS

Reagimet e para nga drejtuesit e rinj, Nikolla: Do punoj me përkushtim,

Shpallja e qeverisë së re ‘Rama 3’ solli surpriza ashtu sikurse paralajmëroi edhe vetë kryeministri Edi Rama, për ndryshimet dhe reformimin që do të bënte në disa nga dikasteret dhe  postet drejtuese.

Pikëpyetja më e madhe e qeverisë së re, sigurisht që ishte posti i kreut të Kuvendit, pas largimit të Gramoz Ruçit. Rama deklaroi se “Gramozi nuk është lehtësisht i zëvendësueshëm”.

Në shpalljen e qeverisë së re sot, kryeministri ia delegoi postin e Ruçit, ish-ministres së Arsimit Lindita Nikolla. Në një prononcim për mediat, Nikolla u shpreh se do të punonte për të krijuar një klimë pozitive dhe do të punojë me përkushtim për të përmbushur pritshmëritë e Ramës.

"Do punoj me përkushtim për respektimin e rregullores, për krijimin e një klime pozitive në Parlament, për krijimin e hapësirave për opozitën. E mbushur me përgjegjshmëri për të përmbushur pritshmëritë e kryetarit të PS për zgjedhjen time",  është shprehur Nikolla.

Rama vendosi të rikthejë në mesin e socialistëve edhe Ditmir Bushatin. Gjatë prezantimit të listët me emrat e kandidatëve për anëtar Kryesie, Rama kishte renditur edhe Bushatin.

E përpos kandidaturës në Kryesi, Rama i ka besuar edhe një vend në Akademinë për formimin e brezave të rinj në Partinë Socialiste.

Bushati ka reaguar për herë të parë pas emërimit si anëtar i grupit të punës në ngritjen e Akademisë Politike të PS-së. Në fjalën e tij, Bushati tha se shpresonte që të përmbushte objektivat për të vijuar kontributin e tij në PS.

"Ju falënderoj për interesin që keni, për Asamblenë e PS. Unë kam bërë votimin si gjithë anëtarët e tjerë të Asamblesë. Shpresoj të zgjidhem dhe të vazhdoj kontributin tim për PS. Kam përshtypjen që në fjalën e tij, kryetari i PS e theksoi se ka vend për të përmirësuar gjithë hapësirën e debatit politik. Përmirësimi i hapësirës së debatit politik jam i bindur që do të fillojë nga PS," tha Bushati.

 

Të fundit