Flash News

Ditari i Maxhorancës

‘Shmangu’ Këshillin për Mandatet, Alqi Bllako dorëzon sot mandatin e deputetit

‘Shmangu’ Këshillin për Mandatet, Alqi Bllako dorëzon

Alqi Bllako pritet të dorëzojë sot mandatin e deputetit pranë kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla.

Vendimi i Bllakos erdhi brenda ditës së djeshme kur SPAK kërkoi nga Kuvendi autorizimin për arrestimin e tij si i përfshirë në aferën e inceneratorit të Fierit. Bllako pohoi se do të përballet vetë me drejtësinë, duke deklaruar se nuk e ka për mbrojtje mandatin e deputetit.

“Unë nuk kam mburojë mandatin e deputetit, por të vërtetën për pafajësinë time. Këtë do ta provoj në gjykatë dhe përpara opinionit publik. Prandaj kam vendosur që ditën e nesërme t'i paraqes Kryetares së Kuvendit dorëzimin e mandatit tim si deputet i Republikës së Shqipërisë, dhe të përballem me akuzën pa asnjë privilegj”, njoftoi Bllako.

Lëvizja e deputeti erdhi disa orë pasi kreu grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, njoftoi mbledhjen e Këshillit të Mandtave sot në orën 18:00, për të shqyrtuar kërkesën e SPAK lidhur me arrestimin e Alqi Bllakos.

Pritet për t’u parë se çfarë do të vendoset në këshill, ndërsa tashmë Bllako e dha vendimin e tij, duke i hapur rrugë arrestimit pa vendim nga Kuvendi.

Bllako akuzohet për veprat penale shpërdorimi i detyrës dhe korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë.

Në dokument thuhet se në kohën kur ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka kryer veprime të kundraligjshme  me dashje gjatë procedurës së shpronësimit të tokës në ndërtimin e inceneratorit të Fierit, duke shkaktuar një dëm prej 16.288.344 lekësh.

Po ashtu vihet në dukje, se Bllako, ka favorizuar kompaninë koncensionare “Integrated Technology Waste Treatment”, kundrejt përfitimit të parregullt, në shumën e 14.964.900.

Të fundit