Flash News

Ditari i Maxhorancës

Siguria në shkolla, përplasje në Kuvend/ Opozita akuza për dështim, Kumbaro: Dhuna është sfidë globale

Siguria në shkolla, përplasje në Kuvend/ Opozita akuza për

Siguria në shkolla ishte në qendër të një interpelance në Kuvend, të kërkuar nga deputetët e opozitës Erisa Xhixho (Partia e Lirisë) dhe Erald Kapri (Partia Mundësia) me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro.

Opozita akuzoi qeverinë për dështim në mbrojtjen e nxënësve, duke sjellë në vëmendje rastet e dhunës dhe tragjeditë e fundit në shkolla.

Deputetja Erisa Xhixho u ndal te ngjarja tragjike e Martin Canit, duke theksuar se ajo duhej të shërbente si moment reflektimi për sigurinë në institucione arsimore.

“Ngjarja tragjike e Martin Canit tronditi shoqërinë dhe duhet të kishte shërbyer si moment reflektimi për dhunën në shkolla dhe sigurinë e nxënësve. Qeveria zgjodhi ta përdorë këtë ngjarje për politikë. E përdori si justifikim për të mbyllur TikTok-un, në një tentativë për censurë”, deklaroi Xhixho.

Nga ana tjetër, ministrja Kumbaro e cilësoi dhunën në shkolla si një “sfidë globale”, të lidhur ngushtë me ndikimin e rrjeteve sociale dhe botës virtuale.

“Po flasim për një sfidë globale që, në forma të ndryshme, po përjetohet nga të gjitha shoqëritë dhe që lidhet drejtpërdrejt me dinamikat e botës ku rriten fëmijët tanë. Hapja pa limit e botës virtuale thyen kodet e komunikimit dhe zhbën konvencionet etike mbi të cilat ngrihen rregullat e sjelljes në shoqëri”, u shpreh ajo.

Sipas Kumbaros, kjo është një sfidë që duhet trajtuar si kauzë e përbashkët nga të gjithë aktorët – nga familja te shteti – dhe jo të përdoret për “politikë të çastit”.

Ministrja solli edhe të dhëna për sistemin parauniversitar, duke theksuar se aktualisht në Shqipëri ka 355,510 nxënës nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën, mbi 30 mijë mësues në 1,498 shkolla dhe 2,670 mësues ndihmës.

Ajo shtoi se numri i fëmijëve me aftësi ndryshe për vitin 2025–2026 ka arritur në 6,073, me një rritje prej 6.8%, ndërsa numri i mësuesve ndihmës është rritur me 8%.

Të fundit