Flash News

Ditari i Maxhorancës

Skandali i ryshfetit me sekretaren e MSH, Manastirliu distancohet: Përgjegjësia është individuale

Skandali i ryshfetit me sekretaren e MSH, Manastirliu distancohet:

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka reaguar për herë të parë mbi arrestimin për korrupsion të Sekretares së Përgjithshme të MSH, Joana Duro.

Nga foltorja e Kuvendit, Manastriliu iu shmang përgjegjësisë dhe tha se institucioni i Ministrisë së Shëndetësisë, distancohet nga rasti.

Sikurse edhe kreu i qeverisë Rama përmend pas çdo skandali, edhe Manastirliu tha se përgjegjësia është individuela dhe bie vetëm mbi Duron.

“Qëndrimi im është i prerë dhe i qartë, nga e cila si institucion distancohemi plotësisht. Cilido që shkelë këto parime duhet të përballet me pasojat që parashikon ligji. Ky është qëndrimi im dhe bindja ime. Është pa dyshim një ngjarje e rëndë. Organet të bëjnë punën e tyre, rasti të hetohet deri në fund. Në rast se del ashtu si dyshimet janë, të përballet me pasojat e ligjit. Përgjegjësia është individuale. Veprimet e askujt nuk mund të baltosin punën dhe tërësinë e punonjësve të këtij institucioni. Para ligjit të gjithë të jenë të barabartë”, tha Manastirliu.

Joana Duron dhe Laureta Shetën, specialiste te ‘bashkëqeverisja’, janë arrestuar nën akuzën e korrupsionit. Sipas hetimeve të kryera nga SPAK, dyshohet se Duro ka marrë 330 mijë lekë ryshfet nga administrator i një operatori me qëllim për të përfituar në mënyrë të paligjshme një tender.

“Pas kryerjes së veprimeve hetimore është krijuar dyshimi se vlera e përfituar në mënyrë të parregullt nga shtetasja J.D., me funksionin Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale (në shumën 330.000 lekë), është dhënë si ryshfet nga shtetasi V.T., administrator i operatorit ekonomik “Dri…” sh.p.k, me qëllim për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, me objekt “Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës””, deklaroi SPAK.

Të fundit