Flash News

Ditari i Maxhorancës

U përgënjeshtrua nga SPAK dhe GJKKO, Veliaj reagon sërish: Publikoni audion e asaj seance të shëmtuar

U përgënjeshtrua nga SPAK dhe GJKKO, Veliaj reagon sërish:

I burgosur prej dy javësh me akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj nuk ndalon së reaguari nga qelia në rrjetet sociale, pa kursyer fyerjet dhe kërcënime në adresë të prokurorit Olsi Dado, por edhe të gjyqtarit të masës së sigurisë, Erjon Bani.

Sot publikoi një foto, që sipas tij ishte faksimile e një pjese të debatit midis tij dhe prokurorit të SPAK-ut, Ols Dado, në sallën e gjyqit, ku sipas tij përfaqësuesi i akuzës e kishte cilësuar atë si ‘ndyrësirë’, por sipas GJKKO-së dhe SPAK-ut, transkripti i botuar nga Veliaj është i rremë.

Në orët e vona të së hënës, Veliaj reagon sërish dhe insiston që të publikohet audio e seancës. 

"Siç e dini, prej dy javësh unë ndodhem i mbyllur në qeli pa gjyq dhe i dënuar që në faqen e parë të një dosjeje, të cilën po e faktoj çdo ditë se është një montim i shëmtuar dhe farsë e rrezikshme.

Por, gjithashtu, ndodhem në kushte të pabarabarta për të thënë të vërtetën time, atë të vërtetë të cilën do ta mbroj deri në fund dhe do të vazhdoj ta them së paku këtu, në rrjetet e mia sociale, si e vetmja mënyrë për të komunikuar me qytetarët e Tiranës dhe gjithë publikun.

Po! E them dhe e përsëris, në atë sallë gjyqi unë jam fyer, sulmuar e kërcënuar nga prokurori im, Olsi Dado, me fjalë të cilat janë të regjistruara dhe padyshim mund të bëhen transparente për publikun. Ajo seancë ishte një kasaphanë e përgatitur për të më “vrarë” politikisht dhe kam dëgjuar lloj-lloj epitetesh, që nga “gënjeshtar”, “je patologjik” e deri te fjalia “e di se ku shkon, ky merret me mua ky …ndyrësirë”.

Për të qenë të vërtetë deri në fund, ftoj gjykatën të publikojë audion e asaj seance të shëmtuar dhe pastaj qytetarët ta vendosin vetë se kush ka të drejtë.

Ama, unë do të vijoj të çmontoj atë dosje të stisur kundër meje çdo ditë, pak nga pak, siç kam bërë deri më sot", shkruan Veliaj. 

SPAK-u po ashtu reagoi duke publikuar edhe faksimile të procesverbalit zyrtar të gjyqit dhe mohoi përdorimin e fyerjes nga prokurori.

Të fundit